• Shqip
  • English
  • E diel, 20 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Çmim që na u ngjit në trup si një kandil deti përcëllues


    Mund të jetë prej Ismail Kadaresë apo edhe për shkak të dashurisë që ushqej për letërsinë, por ditën e Çmimit Nobel e kam përjetuar gjithmonë si një festë familjare. Si një festival që bëhet brenda në zemër dhe papritur, edhe kur nuk është emri i shkrimtarit të vendit tënd, ti prapë zbulon një shkrimtar të jashtëzakonshëm dhe lidh një nyje të re me një libër të ri.

    Shkrimtarët janë “metalurgë” të shpirtit dhe mendjes njerëzore. Ata kanë fjalën e duhur për historitë tona. A s’na ndodh të gjithëve që kur lexojmë një frazë, një përgjigje, një dialog, një përshkrim, të themi: po, kështu është, e kam menduar, e kam provuar dhe ja ku e gjeta të shkruar…?

    Sot, një shkrimtar austriak, që ka preferuar të refuzojë çmime me shuma epike parash, ngaqë nuk duron dot politikanët dhe fyerjet, për shkak të historisë së tij të dashurisë me figurën më të urryer në historinë moderne të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç u nderua me Nobelin. Një simpatizant i përbetuar i Millosheviçit, shkakton mëri për ne ballkanasit , shqiptarët, boshnjakët, kroatët, për çdo shoqëri që beson se Hitleri ishte një monster, kështu dhe Millosheviçi.

    Shoh foton e Peter Handke në funeralin e Millosheviçit, dhe dua të mos jetë e vërtetë. Lexoj që Gjermania i dha një çmim të cilin ai fillimisht e ka refuzuar, për shkak se dinte ç’vinte më pas prej lidhjes së tij shpirtërore me Millosheviçin. Më pas u gjet një mënyrë që të pranonte çmimin, vuri kusht që paratë t’i kalonin një enklave serbe në Kosovë.

    Që një shkrimtar të dojë serbët e Kosovës është njerëzore, por të adhurosh kasapin e Ballkanit, Millosheviçin, është perverse.

    Le të jesh edhe Shekspiri apo Alligeri (që nuk je). Nëse një shkrimtar bashkohet me të keqen, e ka humbur yllin. Të paktën Akademia e Nobelit dikur e ka njohur peshën e autoritetit moral.

    Pse nuk ndahet talenti me njeriun?

    – Vërtet sot janë propagandat, media, portalet, por dikur shkrimtarët kanë vendosur fatet politike dhe ka pasur prej tyre që janë burgosur, vrarë, përzënë në ekzil për shkak të fuqisë që kanë tek shoqëritë.

    Jo pa qëllim diktatorët e kanë nisur regjimin e tyre nga librat. Aty është shkrepësja.

    Sot shkrimtarët vendosin më pak se dikur, sepse lexohen më pak se dikur, prej internetit. Edhe nëse lexohet, fuqia e informacionit online nuk lë shumë vend për thellim. Kështu erdhën kohët. Hollivudi nuk bën më filmat që ka bërë. Në rastin më të mirë nuk e ka më atë shkëlqim të ëndrrës, siç thoshte Julia Roberts këtë vit në një intervistë për “Marie Claire”: Ne u bëmë yje me vite punë. Sot të shfaqen papritur, pa asnjë meritë, pa asnjë Oscar, pa u lodhur.

    Sot muzika nuk është më si dikur, shumë shpejt algoritmet do bëjnë zërin e Beyonce, thotë Profesor Harari. Në bazë të algoritmeve ne do jemi të gjithë doktorë pas 30 vitesh, sepse do zbulojmë çfarë sëmundje na kap pas 5 vitesh.

    Jeta po bëhet e parashikueshme, e zotërueshme por diçka po ikën… Sa më shumë e zotërojmë atë aq më shumë po humbasim mundësinë për ta jetuar.

    Sot as politika nuk është më si dikur. Përfytyroni pak që në vend të Bill Clinton tani është Donald Trump, një president që flet anglisht me 150 fjalë gjithsej, në zhargon!

    Ne po vuajmë mungesën e distancës mes idhullit dhe njeriut të zakonshëm, e shkallëve mes meje dhe teje, meje dhe atij/asaj. Poshtë dhe lart! Pa e ditur, inxhinierët IT kanë vendosur pa na pyetur që të ndryshojnë normat e shoqërisë.

    Ndoshta po jetojmë në epokën e zgjuarsisë së kompjuterëve dhe të boshatisjes së vlerave njerëzore.

    Sapo ra edhe institucioni i fundit në Stokholm, që deri dje kishte një listë kriteresh, mes të cilave fekste si yll një pretendim ‘i vogël’ që nuk ulërihej por dihej nga të tërë; Që të fitosh Nobelin duhet patjetër të jesh një njeri i mirë, që nënkupton të gjitha tiparet, shijet, opinionet, qëndrimet e mbajtura, sidomos para historisë së vendit tënd apo të botës.

    Me Nobelin për Peter Handke jemi me plot gojën zyrtarisht në boshllëk.

    Tani Nobelin mund ta marrë një adhurues i Hitlerit, i Stalinit apo edhe i ndonjë gomari.

    Në raste si këto i kam zili prindërit, që jetuan në varfëri por që kishin ëndrra. Kjo kohë të jep  miliona ëndrra, duke të lënë pa ëndrrën tënde!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Kush është shkrimtari austriak që mori Nobelin në Letërsi sot? Si fillim: Një fans i zjarrtë i Millosheviçit

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]