Lajme nga Bota

Cili është boshti që përfiton nga situata e re, në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë?

Cili është boshti që përfiton nga situata e re, në

Në afat të shkurtër, nuk mund të ëndërronin një skenar më të mirë. Regjimi Sirian dhe Rusia, aleati i saj, nga pikëpamja strategjike janë fituesit e mëdhenj të ofensivës turke në veri të Sirisë. Më 13 tetor, mediat e lidhura me regjimin e Damaskut deklaruan se në dyzet e tetë orët e ardhshme, ushtria siriane do të hynte në qytetet Manbij dhe Kobane, të cilat ishin në duart e kurdëve, dhe nga të cilët amerikanët ishin tërhequr disa orë më parë, pas një marrëveshjeje me Forcat Demokratike Siriane (FDS), një koalicion politik i kontrolluar nga kurdët sirianë të Pyd (Partia e Unionit Demokratik).

Edhe pse Damasku e ka dënuar ofensivën turke, në realitet nuk e sheh aq negativisht atë. Dhe me të drejtë, sepse komandën e ka Moska. Një sipërmarrës afër regjimit ka konfirmuar se operacioni turk është pjesë e një marrëveshje më të gjerë midis Moskës dhe Ankarasë, sipas së cilës turqit do t’i dorëzojnë Presidentit Bashar al Asad provincën e Idlibit (në veriperëndim të vendit, ku regjimi ka qenë në ofensivë që nga muaji prill), dhe në shkëmbim Moska do t’i lejojë turqit të ndërmarrin veprime kundër kurdëve: “E tregon qartë vetoja e Moskës në Këshillin e Sigurimit të KB “, shton sipërmarrësi, duke iu referuar rezolutës që i kërkoi Turqisë t’i jepte fund ofensivës, e cila u bllokua nga Rusia në 11 tetor.

Qershia mbi tortë

Operacioni turk në Siri, i cili filloi më 9 tetor, u perceptua që në fillim si një shans për Rusinë, për disa arsye. Para së gjithash, ai përfshin tërheqjen e forcave perëndimore në Sirinë lindore, që ishin pengesa kryesore për fitoren e boshtit ruso-iraniano-sirian. Ai gjithashtu acaron tensionet midis perëndimorëve, aleatëve të kurdëve sirianë dhe Turqisë, nga të cilat Moska mund të përfitonte duke u shfaqur si një aleate më të besueshme dhe e kuptueshme për Ankaranë. Dhe në fund, ofensiva i shtyn kurdët në krahët e regjimit dhe do të lehtësojë rivendosjen e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Damaskut. Ndërsa qershia mbi tortë, dhuna e sulmit dhe abuzimet e kryera nga rebelët sirianë që shoqërojnë ushtrinë turke mund të kishin efekt, në sytë e opinionit publik, për relativizimin e krimeve të kryera nga regjimi dhe aleatët e tij në perëndim të Sirisë.

“Rusia preferon më mirë që verilindja siriane të kontrollohet nga turqit, me të cilët ka një dialog pak a shumë dobiprurës, sesa nga kurdët sirianë, të cilët nuk kanë dëshirë të bashkëpunojnë me Damaskun,” konfirmon Timur Akhmetov, ekspert për Turqisë, në Këshillin rus për marrëdhëniet ndërkombëtare. Moska është përpjekur për dy vjet që të gjejë një kompromis midis Damaskut dhe kurdëve. Regjimi, i cili ka shtypur prej kohësh kurdët, ka përsëritur gjithmonë se dëshiron të ripushtojë të gjithë territorin sirian dhe nuk do të lejojë krijimin e një entiteti autonom kurd. Bisedimet u ndërprenë pas ofensivës së filluar në mars 2018 nga Turqia, me miratimin e Rusisë, kundër Afrinit, një qytet sirian i kontrolluar nga kurdët. Më pas kurdët u përjashtuan nga negociatat.

Një politikan sirian, i cili kërkoi të mbetet anonim, pretendon se kurdët ishin “viktima të vanitetit dhe naivitetit të tyre”. Dhe më tej shpjegon: “Kur biseduam me ta, ata nuk donin të hiqnin dorë nga asgjë, ata donin autonomi dhe nuk pranuan asnjë zgjidhje kompromisi, më pak se kaq. E mbajtën stekën lart, duke u mburrur se ata kishin dëbuar grupin e Shtetit Islamik dhe se Shtetet e Bashkuara, prej mirënjohjes, nuk do t’i braktisnin”. Një linjë e konfirmuar edhe nga Igor Delanoë, zv / drejtor i Observatorit Franko-Rus: “Rusët duan t’i bëjnë kurdët të kuptojnë se do të kishin bërë më mirë t’i dëgjonin, kur u kërkuan që të ishin më modestë në kërkesat e tyre ndaj regjimit dhe të mos pretendonin shumë, sa i përket autonomisë. Ata i paralajmëruan se do të tradhtoheshin nga amerikanët”.

Tërheqja e Uashingtonit nuk u lë kurdëve zgjidhje tjetër, përveç se të drejtohen tek Damasku. Por sipas cilave kushte? “Ata duhet t’ia dorëzojnë të gjitha armët e rënda ushtrisë siriane dhe t’u bashkohen trupave, për të luftuar së bashku kundër Turqisë,” shkroi Vaddah Abd Rabbo, redaktori i gazetës Al Vatan, shumë pranë qeverisë. Me fjalë të tjera: Kurdët heqin dorë nga projekti i tyre i autonomisë, në këmbim të mbrojtjes prej regjimit të Asadit.Edhe pse ushtria siriane ka njoftuar dërgimin e trupave në veri-lindje të vendit për të “kundërshtuar ofensivën turke”, ka të ngjarë që nuk do të ketë përplasje midis dy ushtrive. Eshtë më tepër një ndarje e kontrollit mbi territorin, nën kujdesin e rusëve. Turqit, të cilët po përgatiten të vazhdojnë operacionin e tyre drejt jugut, do të duhet të marrin kontrollin e zonës midis Tal Abyad, të pushtuar në 13 tetor dhe Ras al Ayn. Regjimi ka lëvizur në perëndim në Manbij dhe Kobane dhe do të jetë në gjendje të forcojë praninë e tij në lindje, në rajonin Qamishli dhe Hassakah, ku ka filluar të instalojë pikat e kontrollit. Negociatat do të lehtësojnë afrimin midis Damaskut dhe Ankarasë. Duket se palët duan të ringjallin marrëveshjen e Adanës, të firmosur në 1998 midis Turqisë dhe Sirisë, sipas së cilës Damasku mori përsipër të ndalojë mbështetjen e vet për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK, të cilën Turqia e konsideron një grup terrorist. Pyd është dega siriane e saj) dhe Turqia mund të ndërhynte në territorin sirian për të luftuar këtë grup. Sipas Delanoë, marrëveshja mund të rishikohej “duke marrë parasysh rrethanat aktuale”.

Pikat që kanë mbetur pezull

Brenda pak orësh, ekuilibri i forcave në Sirinë lindore pësoi një transformim total. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara. Eshtë e qartë se ata ia kanë dorëzuar pozicionin e tyre në Sirinë verilindore, Moskës dhe Damaskut. Në këtë pikë, a do të zhvendosen më në jug, apo do të lënë përgjithmonë territorin, duke lejuar regjimin dhe rusët që të përmbyllin pushtimin e tyre në lindje? Rajoni është strategjik për boshtin ruso-iraniano-sirian, si për shkak të pranisë së vendburimeve më të mëdha të naftës në vend, ashtu edhe sepse do të bënte të mundur konsolidimin e korridorit shiit, që lidh Iranin me Mesdheun, përmes Irakut dhe Sirisë.

Një tjetër pikë që ka mbetur pezull në këtë kthesë të madhe që ka pësuar lufta siriane, është nëse turqit duan të pushtojnë territorin e Sirisë. Prania e tyre në afat të gjatë mbi një pjesë të madhe të kufirit mund të jetë problem për Damaskun dhe Moskën.

“Turqit do të kryejnë një operacion të kufizuar dhe do të largohen pasi të dëbojnë Pyd. Mbi këtë do të angazhohen me rusët, që duan që regjimi të rimarrë zotërimin e të gjithë Sirisë, me kusht garantimin e sigurisë së Turqisë”, thotë biznesmeni afër regjimit. Sipas Timur Akhmetov, “Rusia me siguri mendon se në një afat të gjatë, kontrolli i Turqisë mbi Sirinë veriore nuk do të jetë më i qëndrueshëm, nga këndvështrimi i politikës së brendshme dhe diplomacisë”.

Në çdo rast, fati i Sirisë duket më shumë se kurrë në duart e presidentit rus, Vladimir Putin./ “L’Orient-Le Jour” (Liban) - Marrë nga bota.al