SPORT

Chelsea barazon në fund, Mourinho sulmon stafin e Sarri-t

Chelsea barazon në fund, Mourinho sulmon stafin e Sarri-t

Minutat e fundit të supersfidës së javës së 9-të në Stamford Bridge kanë qenë tepër emocionuese. Chelsea ka barazuar në sekondat e fundit shtesë ndaj Manchester United duke bërë që ndeshja të përfundonte me rezultatin 2-2. Pas golit të Bluve, një prej teknikëve të stafit të Chelsea-t, ka shkuar përpara bankinës ku qëndronte Mourinho duke provokuar me gjeste të ndryshme stafin e United, diçka që ka nxehur së tepërmi trajneri portugez që është ngritur duke sulmuar punonjësin e Chelsea-t. Një rrëmujë e madhe ndodhi më pas, por gjakrat u ftohën pas disa sekondave.

Chelsea e nisi më mirë ndeshjen duke ushtruar presion dhe duke krijuar aksione për gol. Pas disa mundësive të mira, ishte goli i Rudiger ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 21’. Pa një krosi të përsosur nga goditja e këndit nga Willian, mbrojtësi gjerman i shpëton markimit të Pogba dhe dërgon topin në rrjetë pas një goditjeje potente me kokë.

Chelsea mbetet në kontroll të ndeshjes edhe pas golit. Gjithsesi, United nuk pushtohet nga paniku, por vazhdon të luajë fortë, megjithëse pa rrezikuar thuajse asnjëherë portën kundërshtare. Pas pushimit ishte një United ndryshe. Djajtë dalin të karikuar dhe gjejnë golin e barazimit me Anthony Martial i cili përfiton nga një rrëmujë në zonë.

Chelsea nuk kërkon të pajtohet me këtë rezultat dhe del përpara duke lejuar shumë hapësira në prapavijë. Dhe në një nga kundërsulmet e United, Martial ndëshkon për të dytën herë Blutë në minutën e 73’. Sulmuesi francez ka shënuar një gol magjik duke treguar edhe njëherë aftësitë e tij. Chelsea mundohet të reagojë dhe në sekondat e fundit të ndeshjes ka barazuar gjithçka me golin e Ross Barkley. Një barazim i rëndë për United, por i drejtë. /XH.K