Aktualitet Te gjitha

Çfarë pritet të ndodhë sot në protestën e opozitës/ 1600 policë në terren


Opozita do të protestojë sot në orën 11:00 para kryeministrisë. Kjo është protesta e dytë që zhvillohet para godinës së qeverisë, pas asaj të 16 shkurtit ku nuk munguan rastet e dhunës ndaj institucionit të qeverisë shqiptare. Mësohet se policia ka marrë një plan të detajuar masash, ndërsa 1600 efektivë do të jenë në terren. Masat janë të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërsa ka refuzuar kërkesën e PD për të protestuar pa afat.

Thirrja e SHBA-BE

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Europian i paraprinë protestës me dy deklarata të veçanta, duke paralajmëruar se dhuna është “e paligjshme dhe e patolerueshme”. Të dyja palet i bënë të qartë opozitës se qeveria dhe parlamenti janë legjitime dhe njihen ndërkombëtarisht dhe se aktet e dhunës nuk do të tolerohen. Dy ambasadat bënë thirrje që opozita të lërë parlamentin dhe qeverinë të punojë dhe deputetët e rinj që po futen në parlament.

A do ketë dhunë?

Dy liderët e opozitës kanë deklaruar se nuk do të ketë dhunë, por sipas tyre është turma ajo që vendos. Gjithsesi, bazuar nga thirrjet e forta të SHBA-BE, pritet që protesta të jetë më e qetë se ajo e 16 marsit, ku u dëmtua hyrja e kryeministrisë dhe u lënduan disa policë e protestues.

Kryeministria heq skelën mbrojtëse

Ndërsa sot do të mbahet protesta e opozitës, para Kryeministrisë nuk do të jetë më skela mbrojtëse. Kjo e fundit është vendosur në çdo tubim për të mbuluar hyrjen e godinës, por në atë të sotmen jo. Një veprim i tillë tregon se godina do të jetë si në çdo ditë të zakonshme, duke nënkuptuar se nuk priten trazira./Copyright/Tiranapost/A.C