Lajme nga Bota

Çfarë ndodh me adresat e tua nëse (qoftë larg) të gjen gjë?

Çfarë ndodh me adresat e tua nëse (qoftë larg) të

Nga fotot tek statuset dhe mesazhet private, përdoruesit e mediave sociale lënë një gjurmë të madhe digjitale. Por kush i zotëron të gjitha këto të dhëna nëse pronari i adresës ndërron jetë? Vlerësohet se një në tre njerëz në botë kanë një adresë në mediat sociale dhe ekspertët ligjorë kanë filluar të diskutojnë se çfarë ndodh më pas me këto faqe, nisur edhe nga rasti i një vajze adoleshente e cila ndërroi jetë në Angli. Prindërit e 14 vjeçares me emrin Molly Rusell që kreu vetëvrasje në vitin 2017, kanë treguar për mediat lokale se nuk kanë arritur dot të marrin të dhënat në adresat e saj, duke përfshirë edhe Instagramin, pasi dyshojnë se në faqen e saj ka të dhëna që mund të lidhen me vdekjen.

Në një intervistë për BBC, babai i Molly-t ka thënë: Mendoj se të dhënat e adresës së dikujt duhet të kalojnë tek prindërit, ose vëllait apo motrës, kështu duhet të jetë. Vajza ime ndërroi jetë 14 vjeç, normalisht nuk kishte se si të linte testament. Por mendoj se është e logjikshme që adresa, passwordi dhe çdo përmbajtje duhet të shkojë në duart e mia dhe të nënës së saj.

Por Instagram nuk pranoi të komentonte për rastin konkret e ndërkohë që ende vazhdojnë hetimet për rastin e saj.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Facebook ( që ka në pronësi Instagram) thonë se është kundër politikave të rrjetit social që dikush tjetër të hyjë në adresën dhe të dhënat e personit që e zotëron, megjithatë shtojnë se do i marrin parasysh kërkesat e prindërve për të pasur qasje në adresat e fëmijëve të tyre, por me një kusht, të kenë siguruar një urdhër nga Gjykata.

Anglia është mes vendeve të shumta që nuk kanë ende një ligj mbi trashëgiminë digjitale, gjë e i bën këto raste edhe më të komplikuara. Edina Harbinja, eksperte në fushën e medias dhe privatësisë thotë problemi i vetëm qëndron tek privatësia: Adresat në mediat sociale përdoren për gjëra personale, foto dhe mesazhe private, privatësia është një çështje kyçe dhe interpretimet ligjore janë të ndryshme.

Sipas Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave nga BE (GDPR), individët kanë të drejtë të sigurojnë një kopje të të dhënave të tyre të cilat ruhen më pas nga kompanitë e internetit, por mund të kërkohet edhe që të fshihen. Por ligji nuk parashikon çështje trashëgimie apo në rastet e atyre që vdesin.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, pikëpamja ligjore në Evropë është se të dhënat personale nuk janë një lloj pasurie dhe si të tilla nuk mund të shiten, asgjësohen apo trashëgohen. "I vetmi pronar i të dhënave personale është vetë individi," thotë Gabriel Voisin, specialist në mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë e një firme të njohur ndërkombëtare, Bird & Bird.

Në Francë, njerëzit kanë të drejtë t’u tregojnë kompanive se çfarë të bëjnë me të dhënat e tyre pasi të vdesin. Në Gjermani, trashëgimtarët kanë të drejtë të marrin të dhënat e të afërmve të tyre të vdekur, pasi një gjykatë vendosi vitin e kaluar se adresat e mediave sociale mund të trashëgohen në të njëjtën mënyrë si letrat apo dokumentet.

Facebook dhe Instagram u lejojnë anëtarëve të familjes që të kërkojnë që një adresë të fshihet ose të shndërrohet në një faqe përkujtimore, por jo të shihen përmbajtjet. Edhe kur një adresë fshihet, Facebook dhe Instagram thonë se vazhdojnë të ruajnë të dhënat personale për një periudhë kohore./ Artikulli marrë nga Live Mint/ Tiranapost.al. E.B

Image result for Who owns your Facebook profile when you're dead?