• Shqip
  • English
  • E premte, 15 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Çfarë është Vitiligo, sëmundja që zbardh lëkurën


    Vitiligo është sëmundje dermatologjike që shfaqet me njolla të bardha ose me ngjyrë më të celët se lëkura normale. Njollat e bardha shkaktohen nga pakësimi i melanociteve (qelizave të lëkurës që prodhojnë pigmentin e saj) si pasojë e procesit të quajtur “autoimun” ku vetë sistemi imunitar i trupit lufton dhe shkatërron qelizat e tij sikur të jenë të huaja për të. Shumë studime e lidhin Vitiligon me sëmundje të tjera autoimune të tiroides, mbiveshkores, lëkurës (lupusi eritematoz) apo sistemit endokrinologjik (diabeti), ndaj në një pacient të diagnostikuar me vitiligo duhen kryer ekzaminime për të përjashtuar ose vërtetuar prezencën e tyre.

    Foto nga Zanderm
    fwd-10zand45yjmo-famous-people-with-vitiligo-sal-jxtgroup-com-jxt-group-mail
    Winnie Harlow

    Vitiligo është sëmundje e trashëgueshme që në rreth 50% të pacientëve shfaqet para moshës 20 vjeç; në fytyrë-me depigmentim përreth syve dhe buzëve, pjesën e brendshme të brrylave dhe gjunjëve, sqetulla, organe gjenital etj, në mënyrë simetrike (psh në të dy gjunjtë, në të dy sytë, etj), me vatra të vogla, me kufi të qartë nga lëkura normale, të cilat kanë tendencë të zmadhohen, të shtohen e të bashkohen me njëra tjetrën. Në rreth 30% të rasteve njollat përmirësohen në mënyrë spontane, por me kalimin e kohës mund të rishfaqen.

    Për trajtimin e këtyre depigmentimeve ekzistojnë disa alternativa mjekësore por asnjëra nuk është plotësisht e efektshme dhe shkalla e suksesit varet nga shumë faktorë si mosha e shfaqjes, koha e paraqitjes te mjeku, sipërfaqja e zonave të prekura dhe lokalizimi i tyre. Këto trajtime të përshkruara nga mjeku dermatology kanë për qëllim stimulimin e melanociteve për të prodhuar pigmentin e munguar nëpërmjet mekanizmave të ndryshme (krem ripigmentues, rimodelues imuniteti, fototerapi etj).

    Ajo çfarë pacientët me vitiligo duhet të kenë parasysh, është rrisku i ekspozimit në diell. Shpesh njerëzit e painformuar, kur vënë re njolla në lëkurë ekspozohen më tepër në diell ose akoma më keq nëpër kabina solare që këto pjesë të marrin ngjyrë, por në fakt ndodh e kundërta, kjo pjesë e lëkurës delikate të cilës i mungojnë mekanizmat mbrojtës ndaj diellit (melanocitet) dëmtohet akoma më shumë dhe i shtohet rrisku për të shfaqur lezione kanceroze. Ndaj personat me vitiligo duhet t’i shmangen ekspozimit të tepruar në rrezet e diellit, të përdorin krem mbrojtës dhe veshje me spf. Por mund t’ju gëzohen rrezeve të para të diellit herët në mëngjes. Po kështu ata duhet të tregojnë kujdes ndaj traumave të lëkurës që mund të nxisin shfaqjen e elementeve të reja.

    Vitiligo prek 1-2% të popullsisë, ka impakt të lartë në aspektin emocional dhe social të individit të prekur ndaj vëmendja dhe fushatat sensibilizuese ndaj saj kanë ardhur duke u shtuar edhe nga njerëz të famshëm.

    Dr.Silvana Mishtaku

    Dermatologe-Venereologe,

    Klinika VIVIA, Spitali Amerikan

    Email:  HYPERLINK “mailto:[email protected][email protected]

    Instagram: silvanamishtaku

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post