Nën lupën e Stela Sallakut

Çfarë duhet të veshin shoqërueset e nuses në 2017

Nga Stela Sallaku/Sapo dëgjoj “shoqëruese nusesh” më vjen në mëndje lejlaja ose bojëqielli, frudat dhe palat. Fustane voluminoze dhe ndonjëherë qesharake. Ju kujtohet filmi “27 fustanet” me Katherine Heigl ku njëri fustan është më i lodhshëm se tjetri? Pikërisht këtë dua të them. Nuk ka arsye pse mikeshat më të mira të nuses të mos jenë në lartësinë e duhur për të qenë përfaqësuese  të denja  të miqësisë së viteve të beqarisë. Dy rregulla ka, nuk lejohet e zeza ose e bardha (përveç rasteve kur dasma bëhet në Las Vegas, aty lejohet çdo gjë).

Po nga e ka gjenezën nevoja për shoqëruese nusesh? Sa duhen, si dhe pse? Fillimet i shohim në Bibël ku Jakobi u martua me Lean dhe Rakelën, secila nga ato morën nga një shoqëruese me vete, e cila ishte shërbëtore praktikisht. Ishte ajo që i zgjidhte lulet, fustanin dhe organizonte festat nuses.  Pra është më shumë si ndihmuese në periudhën e ngarkuara dhe emocionuese përpara dasmës. Në Romën e lashtë shoqërueset e nuses ishin dhjetë të cilat visheshin identike si nusja për të larguar shpirtrat e këqij që mund të donin të prishnin dasmën. Kush më mirë se sa mikeshat më të mira të nuses mund ta marrin përsipër këtë përgjegjësi kaq të madhe?

Ka raste kur shoqërueset ia bëjnë dhuratë dasmën dhe organizimin mikeshës që martohet, në shenjë dashurie por dhe tradite. Sigurisht e njëjta gjë vlen dhe për shoqëruesit e dhëndrrit. Por ja që në ditët e sotme bëhet pak e vështirë kjo pjesë, kështu që të ftosh dikë si “maid of honor” nuk ka të bëjë me shërbimin por me fotografinë në fund ku nusja rreshtohet me mikeshat për të kornizuar eventin përrallor.

[video width="480" height="284" mp4="http://tiranapost.al/wp-content/uploads/2017/07/giphy-1.mp4"][/video]

Tendenca këtë vit për veshjet e shoqërueseve është pak më novatore, në mënyrë që të mbizotërojë sharmi dhe jo lejlaja dhe xixat. Po ju lë me fotot dhe pse jo, mund të frymëzoheni dhe t'i përdorni për dasmën tuaj, nëse se keni bërë ende.