My TiranaTe gjitha

Certifikohen në Akademinë e Sigurisë 25 punonjësit e parë të Policisë Bashkiake


Ky është grupi i parë i punonjësve të Policisë Bashkiake që po trajnohen nga Akademia e Sigurisë për t’u aftësuar në fushën e sigurisë publike. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në tre vjet Policia Bashkiake nuk ka ndryshuar vetëm imazhin, por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Gjenerata e Policëve Bashkiakë nuk ka ndryshuar vetëm imazhin, por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit. Gjithmonë ka njerëz që mundohen të gjejnë një cen te Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake. Por, po të shohim sa rrugë kemi bërë dhe ku e morëm si shtetin, si qytetin, them se më e mira është përpara. Kemi bërë mjaftueshëm për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit edhe për ta falenderuar”, deklaroi Veliaj.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme, efektivët e Policisë Bashkiake po ndjekin një program mësimor që do të formojë dhe zhvillojë më tej aftësitë teoriko-profesionale, në shërbim të qytetarëve.

Bashkia e Tiranës pritet të ndërmarrë një tjetër nismë për të rritur më tej sigurinë në kryeqytet, atë të policimit në komunitet. Në këtë aktivitet mori pjesë zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema. Ndërkaq, punonjësit e policisë mbollën edhe disa pemë në ambientet e Akademisë, duke iu bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e qytetit. /Tiranapost.al