• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Shëndet Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha

    Celulit, dhjam, lëkurë e varur? Cilin trajtim të zgjedhim?


    Nga Dr.Silvana Mishtaku/ E keni vënë re me siguri se që kur iku janari, të gjitha gratë e vajzat kanë një temë bisede: si do të kthehemi në formë, që të jemi gati për plazh. Tashmë e kanë kuptuar që kjo punë nuk bëhet në maj, por në mos rregullisht gjithë vitin, së paku intensifikohet në pranverë. Dhe sigurisht që krahas regjimit ushqimor dhe aktivitetit fizik vjen dhe ajo pyetja tjetër: po trajtrimet për lëkurën e trupit, reduktimin e dhjamit dhe të celulitit kur duhet t’i nisim? Dhe  cili trajtim është më i përshtatshëm, ndërkohë që dëgjojmë metoda e aparatura të  panumërta që ofrohen në qendra estetike dhe mjekësore?

    Po ju  përmend më të përdorurat, për t’ju orientuar sa më mirë, në lidhje me problematikën që keni. Kështu e keni dhe më të thjeshtë zgjedhjen, në pafundësinë e rekomandimeve që dëgjoni në reklama apo nga mikeshat.

    Masazhi anticelulit është procedura më e thjeshtë, të cilës femrat i drejtohen. Por që të ketë rezultate të dukshme kërkon mbi 10 seanca dhe  teknikë të mirëfilltë aplikimi. Shpesh bëhet me force, duke shkaktuar dhimbje dhe nxirje (hematoma) që kërkojnë kohë për t’u larguar. Po kështu për shkak të lodhjes së duarve që e ushtrojne, intensiteti nga fillimi deri në fund të procedurës nuk është i njëtrajtshëm dhe rezultatet jo afatgjata. Ndërkohë që masazhi relaksues apo fizioterapeutik i trupit rezulton (gjithmonë nëqoftëse aplikohet në mënyrë korrekte) më efektiv në përmirësimin e qarkullimit të  gjakut, limfës, eleminimin e toksinave, duke përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe reduktuar lodhjen fizike  ndaj për mirëmbajtje mund të kryhet një herë në javë.

    Gjithashtu mund të kombinohet me lëndë që bëjnë peeling te trupit (me përmbajtje kripe deti, acid laktik, etj) për të eleminuar qelizat e vdekura dhe rigjeneruar lëkurën.

    Por nëse synimi juaj kryesor është reduktimi i dukshëm dhe i zgjatur në kohë i celulitit, është më mirë të zgjidhni LPG endermologie. Kjo teknologji me eksperiencë 30 vjeçare kombinon vakumin me masazhin npm aparaturës me intensitet të njëtrajtshëm, duke përmirësuar mikroqarkullimin e gjakut, drenazhin e limfes, shpërbërjen e celulitit si dhe tonifikimin e lëkurës në të gjithë trupin.

    Metoda është e padhimbshme, pa nxirje dhe plotësisht e sigurt. Ajo përmirëson pamjen e lëkurës së portokallit, redukton diametrat dhe tonifikon lëkurën duke siguruar një siluetë harmonike. Jo më kot LPG është procedura më e mirë  anticelulit dhe zgjedhja e parë e shumicës së mjekëve dhe femrave që trajtohen. Për të arritur efektin e duhur rekomandohet të kryhet paketë me 15 seanca, në mënyrë të rregullt 2-3 herë në javë. Gjithashtu kjo aparature ka dhe një  program të veçante për personat  që kanë kryer liposuksion kirurgjikal, me qëllim rritjen e efektit të kirurgjisë në kohë më të shkurtër.

    Ekzistojnë shumë  aparatura si Accent Prime, Med2 contour, V-shape që kombinojne ultratingujt me vakum, masazh apo radiofrekuencë për të trajtuar në disa seanca sipërfaqe të mëdha si barku, ijet, kofshët duke reduktuar dhjamin, rigjeneruar dhe tonifikuar lëkurën e këtyre zonave. Nqs problemi juaj  është  i lokalizuar në këto zona dhe nuk keni proteza metalike në trup (apo gjendje të tjera mjekësore që duhet ti diskutoni me mjekun), kjo është teknologjia e duhur për ju.

    Nëse problemi  juaj lidhet me varjen e lëkurës në zona të caktuara (sidomos barku, kofshët  pas shtatzanisë dhe rënies në peshë) mund të kërkoni trajtime  me radiofrekuencë mono/bi/tripolare (THERMAGE, tripolar, etj) që kanë fokus kryesor prodhimin e kolagjenit të ri, fibrave të elastinës duke rezultuar në tërheqje të lëkurës.

    Po  nëse jeni mjaftueshëm të tonifikuar, por keni disa zona të kufizuara dhjami rezistent  si barku, ijet etj trajtimi më i përshtatshëm për ju është kriolipoliza, patentën e të cilës  e mban ZELTIQ. Kjo teknologji kombinon vakumin me temperaturat e ulëta dhe në vetëm një orë redukton me 20-40% dhjamin e zonës së trajtuar. Procedura  është e padhimbshme, e sigurt dhe ju lejon t’i riktheheni menjëherë pas saj aktivitetit tuaj.

    Shënim: Këto metoda, pavarësisht aparaturës që  zgjidhni, nuk zëvendësojnë regjimin e rregullt ushqimor dhe aktivitetin fizik; madje për efektivitet më të lartë dhe afatgjatë rekomandohet regjim i shëndetshëm.

    *Autorja Dr.Silvana Mishtaku është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

    Email: [email protected]

    Instagram : silvanamishtaku