Politikë Te gjitha

Çekia do lobojë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE


Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës çeke, Tomáš Petříček. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës rajonale të Ministrit të Jashtëm çek Petříček në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Shqipëri, i cili pati në fokus marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, integrimin në BE, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe situatën në rajon.

Gjatë fjalës së tij ministri çek u shpreh i impresionuar nga ecuria e reformave në vend, duke vlerësuar dhe inkurajuar zbatimin deri në fund të të gjitha hapave të ndërmarra nga qeveria Shqiptare për të realizuar hapjen e negociatave me BE-në në qershor 2019. Ai konfirmoi se Çekia është e gatshme për lobim në nivele të ndryshme për jetësimin e këtij hapi të rëndësishëm për Shqipërinë.

“Së pari Republika çeke e ka mbështetur zgjerimin. Besojmë se do të kemi një konsensus për çeljen e negociatave në mbledhjen e këshillit në qershor. Kam biseduar me një sërë partnerësh dha jam përpjekur që tjua bëj të ditur rëndësinë që ka marrja e një vendimi pozitiv për popujt e këtyre vendeve sepse ka një mbështetje të konsiderueshme për BE nga popullsia në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëria. Zgjerimi ka dy anë ku duhen përmbushur premtimet. Duhen përmbushur dhe premtimet tona. Në aspektin praktik kam përmendur faktin se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash sidomos në gjyqësor dhe se detyrat që i kemi caktuar Shqipërisë për të bërë në pjesën më të madhe janë realizuar prandaj dhe parakushti për çeljen e negociatave është përmbushur. Do të shkoj në Francë në prill dhe do të diskutoj dhe me partnerin francez. Kam synim që të krijoj një atmosferë pozitive në mënyrë që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave”, deklaroi ministri çek

Cakaj tha se Shqipëria do të vijojë me reformat dhe se mbetet shpresëplotë që vendet anëtare të BE-së do i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrjeve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.

Çekia do të ofrojë për asistencë në procesin e integrimit, në marrjen e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në të ardhmen si dhe u shpreh vullneti për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik e të investimeve në fusha me interes të përbashkët si energjia, turizmi, bujqësia, e të tjera./Tiranapost/A.C