SPORT

Carrasco mendon transferimin në Seria A

Carrasco mendon transferimin në Seria A

Napoli ishte shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për ta marrë janarin e kaluar, ndërsa për të kanë qenë të interesuar edhe Bayern, por edhe shumë skuadra të tjera europiane. Por në fund, Yannick Carrasco vendosi të largohej nga Atletico Madrid për në Kinë.

Një zgjdhje tepër e çuditshme, për të cilën me sa duket belgu është penduar dhe po mendon rikthimin në futbollin europian. Madje, menaxheri i tij Christophe Henortay, ka konfirmuar ofertën e dikurshme të Napolit por gjithashtu ka zbuluar edhe të ardhmen e lojtarit.

“Nuk është sekret që Napoli ishte në bisedime me Atleticon për ta blerë, është e vërtetë. Por pavarësisht interesimit ne zgjodhëm Kinën. Por e di që atij do t’i pëlqente që një ditë të rikthehej në Itali”. Një frazë në dukje e pafajshme, por pyetja që të gjithë po shtrojnë tani është se ku do të luajë. “Nuk e di nëse Napoli do ta provojë përsëri apo nëse do të luajë diku tjetër”.

Megjithatë, menaxheri pranon se krahasuar me kampionatet e tjerë Carrasco preferon shumë më tepër Italinë. “Futbolli aty është rikthyer të jetë tërheqës dhe shpresohet që në të ardhmen skuadrat italiane të jenë përsëri protagonist. Jam i bindur që herët a vonë, Yannick do të luajë në Serie A, një kampionat gjithnjë e në rritje, sidomos pas mbërritjes së Cristiano Ronaldos. Dhe unë e them këtë sepse ka diçka konkrete në këtë drejtim”. /XH.K