Nën lupën e Stela SallakutLifestyleModëTe gjithaTIP top

Carolina Herrera, sfilata që shijon si një kapuçino


E keni parasysh atë ndjesinë kur ju fillon dita vonë për arsye të shiut, trafikut ose ndonjë kalimtari me biçikletë dhe çadër që thjesht ngatërron rrugën dhe ju del përpara me shpejtësi? Ndërkohë që duhet të mendosh dhe për ndonjë vend parkimi që të jetë afër barit ku po të pret shoqja e ngushtë, tashmë prej 16 minutash. Në një dorë çadra, në tjetrën çanta, (që nuk e kuptoj pse çdo ditë duket sikur është më e rëndë) dhe në xhepin e palltos ke celularin që po bie pa pushim. Të duket pafundësi deri sa të parkosh dhe të çlirohesh nga rripi i sigurimit.


Më në fund zë vend në kolltukun e preferuar dhe kamerieri të sjell cappuccinon dekoruar me kanellë në formë zemre. Duket sikur dita po fillon të marrë për mbarë. I dua shumë ato bare që në televizorin qëndror mund të ndjekësh Fashion TV, për të çlodhur sytë. Sidomos në këtë periudhë të vitit ku sfilatat kanë filluar dhe jemi ende në New York. Ndërkohë të ndërpret mendimin një pallto me pupla dyngjyrëshe e punuar imët, e cila parakalon në pasarelën e Carolina Herrera. Edhe pse është pjesë e koleksionit të vjeshtë-dimër `18-`19 të pushton një ndjesi për ta patur në atë moment në duar. Arsyeton me veten se mund ta veshësh që tani, ftohtë është ende, kemi nevojë shumë për ngjyra si dhe prerje novatore.

(Foto nga Vogue.com)

Derisa radhën e puplave e zë një pallto e verdhë kanarinë, me jakë pellushi me dy ngjyra punuar me tegela zbukurues si dhe prerë në formë kove. Pikërisht atëherë kur menduam se e verdha u zëvendësua me të kuqen, Carolina na tregon të kundërtën.

(Foto nga Vogue.com)

Ky fustani mund të zërë fare mirë vendin e “fustanit të vogël të zi” (LBD), sepse është kaq i thjeshtë për t’u kombinuar si për paradite dhe për darkë. Me vathë të dukshëm apo dhe perla, gjysmëçizme ose stiletto.

(Foto nga Vogue.com)

Pesëdhjetë e shtatë veshjet e dizajneres 79-vjeçare nga Venezuela, të mbajnë të ngulur para ekranit për rreth 15 minuta pa lëvizur. Mënyra se si i ka renditur ngjyrat, prerjet dhe koncepti në tërësi, të lë dhe gjysmë ore tjetër duke menduar. Padyshim që as sezonin tjetër nuk do mungojnë ngjyrat apo puplat. Ndaj investoni tek një pallto e mirë portokalli në të kuqe të cilën mund ta keni për një kohë të gjatë.

Pas Carolinës, kush do e ketë radhën vallë? Ky mendim më shoqëroi deri sa mbërrita në punë dhe duke qenë se unë i ndjek në kohë reale thuajse të gjitha sfilatat, i kam radhitur në kalendarin personal. Pak më vonë do shohim street style-t në kryeqytetin energjik amerikan, ku edhe pse bën ftohtë, nuk kanë munguar aparatet nëpër rrugë./Tiranapost.al