Aktualitet

Çadra shtrihet në gjithë Shqipërinë, PD bllokon rrugët kombëtare

Pas mbledhjes me krerët e Partisë Demokratike në rrethe dhe aleatët e opozitës, Basha ka shpallur nga e ashtuquajtura “Çadra e Lirisë” përshkallëzimin e protestave me bllokimin e rrugëve në gjithë vendin.

“Sot dua t’ju njoftoj se në funksion të arritjes së këtij qëllimi madhor, opozita e bashkuar me në krye Partinë Demokratike ka vendosur intensifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë. Duke ruajtur si pishtar, si bërthamë, si monument të kësaj lëvizjeje "çadrën e lirisë" 24 orë në ditë, por duke e shtrirë në mbarë vendin. Ditën e hënë, të gjithë qytetarët, të djathtë, të majtë, patriotë, bashkohemi mes orës 11 dhe 12 në bllokimin total të trafikut kombëtar në gjithë Shqipërinë”, ka thënë Basha.

Pikërisht në ditët vendimtare përpara ardhjes së negociatorit gjerman, Lulzim Basha dhe opozita ka vendosur që në vend të dialogut ta zgjerojë protestën në të gjithë vendin, duke përjashtuar çdo marrëveshje tjetër përveç qeverisë teknike me një mandat të mjaftueshëm për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit dhe luftën nga drogës.

Basha i është përgjigjur edhe Edi Ramës lidhur me Kushtetutën, duke thënë se për qëllime madhore si liria e zgjedhjeve, Kushtetuta mund të shkelet. “Kushtetuta e Shqipërisë dhe vendeve të tjera është instrument për të garantuar liritë themelore të qytetarëve. Në momentin që ajo nuk garanton liritë themelore të njeriut, nuk mund të kërkohet zbatimi i saj”, tha Basha./Tiranapost.al