• Shqip
  • English
  • E martë, 16 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Ca kova qiell për në atdhe


    Sot kishte parlament. Edhe një tjetër ditë për të dëgjuar nga redaksia e tiranapost.al të njëjtat fjalime, që as u duhen shqiptarëve dhe as janë për Shqipërinë. Të njëjtët meskinë, njerëz të vegjël, politikë personale brenda dhe jashtë parlamentit. Sa herë që ka parlament mendoj se si është e mundur që të gjithë jemi imunizuar nga sherret e tyre për interesa vetjake dhe rrallë, tek-tuk, mund të pikasësh një fjali për Shqipërinë. Pak minuta më vonë, diku më kap syri që shqiptari Angjelin Preljocaj, një princ i koreografisë botërore, është zgjedhur anëtar i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura.

    E marr lajmin dhe si një engjëll e postoj në ballinën e TIP. I shkruaj një mikeshe që të më ndihmojë më një email të tij, se ndoshta mund të pranojë një intervistë. Shkurt, dua të flasim për Angjelinin, shqiptarin që aq bukur e përshkruan Ismail Kadare në librin e tij, kur tregon historinë e familjes së arratisur në vitin 1953 dhe kur Angjelini bëri baletin e parë, kur ishte një trupth brenda barkut të nënës së tij. 2 javë pas arratisjes një yll do të lindë në Paris. Angjelin Preljocaj është rritur në periferitë e Parisit dhe i vogël luante xhudo, më pas një grua i dhuroi një libër dhe ai dëshiroi të qëndronte pezull në ajër. Kështu e tregon në një nga intervistat e tij për median shqiptare. Angjelin Preljocaj është një peshë e rëndë dhe një shqiptar që e nderon vendin tonë plotpërplot me inatçorë, shakatorë e amatorë. Jo se në Paris nuk ka budallenj parapolitikë. Boll të kujtojmë që dikur Le Pen i tha me urrejtje shqiptarit të suksesshëm në të gjitha operat e botës: -Ik në Tiranë, ik nga ke ardhur!

    Angjelin Preljocaj iu përgjigj: Iki, e filloj nga zero, por të premtoj që në asnjë qytet që drejtoni ju nuk do kërcej kurrë.
    Angjelin Preljocaj mezi flet shqip, por gjithmonë e ka theksuar origjinën e tij shqiptare, duke e bërë suksesin e tij një fat për vende të vogla si ne, që i ruajmë telat me gjemba sot e kësaj dite, sidomos në mënyrën si i flasim njëri-tjetrit. Si harrojmë të nderojmë të talentuarit, si merremi me mizat në qyp dhe nuk arrijmë të shohim kovat me qiell që sjellin në atdhe shqiptarë si Angjelini.
    Faleminderit, maestro. Merci!

    (Ismail Kadare është krijues i frazës “dërgo disa kova me qiell në atdhe”. Libri ku tregon për Angjelin Preljocaj quhet Kushëriri i ëngjëjve)

    /*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]