Aktualitet

Bushati shpjegon 4 hapat para negociatave

Fjala e ministrit Bushati në Komisionin e Jashtëm:

Dje në KE kemi rënë dakord për një kalendar i cili fillon në shtator për tu mbyllur në pranverën e vitit 2019. Në bazë të këtij kalendari dhe aktiviteteve të ndërmjetme që do të zhvillohen gjatë këtij viti e gjithë gama e detyrimeve dhe angazhimeve që duhet të ndërmarrë Shqipëria në këtë proces do të ekspozohet pranë strukturave shtetërore.

E një rëndësie të veçantë është mënyra se si ne po përpiqemi për të konverguar dy procese që ushqejnë e ndihmojnë njëra-tjetrën. Kemi në njërën anë procesin e zbatimit të detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, proces i cili do të vijojë deri ditën që Shqipëria do të anëtarësohet në BE. Nga ky proces derivojnë disa struktura të përbashkëta duke filluar nga Këshilli i MSA që është struktura më e lartë mes Shqipërisë e BE për të vijuar me komitetin e stabilizim asocimit dhe nënkomitete sektoriale me atë proces dhe strukturë që do të jetë dhe struktura kryesore koordinuese e procesit të bisedimeve për anëtarësim. Përsa i përket procesit të koordinimit të “screening”, siç mund të jeni vënë në dijeni dhe nga takimi i përbashkët i djeshëm i qeverisë me KE, procesi “screeening” ka që dje koordinatorin teknik dhe e gjithë puna që do të përfshijë institucionet shtetërore natyrisht që do të koordinohet nga koordinatori teknik me mbështetjen e MEPJ. Sa i përket konceptit të negociatave, unë e kam thënë dhe radhën e kaluar që kam qenë në këtë komision, duke përfituar nga rasti që sot është dhe Partia Demokratike këtu, mund të riktheksoj që kemi një bazë të mirë, janë të paktën 2-3 projekte të asistencës së BE që kanë punuar me ekspertët e ish Ministrisë së Integrimit Evropiane dhe natyrisht që pak a shumë modelet konvergojnë të gjitha në një pikë ku do të ketë një delegacion shtetëror që do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, një ekip për procesin e “sreening” që më pas do të transformohet dhe në ekipin negociator të këtij procesi shumë të rëndësishëm por vijoj të theksoj se më i rëndësishëm se sa kjo strukturë koordinuese natyrisht që është procesi i angazhimeve dhe gatishmërisë së të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar në këtë drejtim. Sepse puna e strukturës koordinuese do të varet nga gatishmëria e këtyre institucioneve.

Pika e fundit në lidhje me këtë çështje që deri në fillimin e vjeshtës, që përkon me fillimin e procesit “screening”, do të kompletohet nga pikëpamja e akteve normative, ka të bëjë dhe me konkluzionet e Këshillit të BE. Konkluzionet e Këshillit detajojnë procesin e nisur të reformave përsa i përket fushave që kanë lidhje me sundimin e të drejtës në ekonomi dhe ne si institucion përgjegjës për bashkërendimin e këtij procesi dhe dialogun me KE dhe vendet anëtare, konkluzionet e Këshillit jemi duke i transformuar në një Plan Pune të përbashkët me disa institucione shqiptare. Natyrisht që një pjesë e institucioneve që preken nga konkluzionet e këshillit të Ministrave të BE shkojnë përtej suazës së punës së ekzekutivit dhe në këtë drejtim nuk diskutohet që një klimë më mirëkuptuese politike veçse e ndihmon përparimin e shoqërisë në këtë proces e sidomos në funksion të 2019 siç u tha shumë qartë dhe dje nga ana e KE dhe komisioneri për zgjerimin Hahn, negociatat janë në horizontin e 2019, komisioneri përcaktoi madje dhe afatin për hapjen e kapitujve të parë negociues. Po besoj se nga gjithë analiza që bëhet dhe puna që po bëjmë me komisionin dhe fqinjët tanë, Shkupin që kanë nisur të njëjtin proces dje, mendohet që 2019 dhe ai plan që ka përcaktuar komisioni në bazë të mandatit të marrë nga vendet anëtare dhe bashkëpunim me ne është plotësisht i arritshëm.

Pika e dytë që ka të bëjë deri diku dhe me pikën e parë që ju keni vënë në axhendë, ka të bëjë me samitin e Londrës dhe realisht vlerësoj ato pak deputetë nga opozita të cilët kanë kontribuar në rrjetet sociale me qëndrimet e tyre rreth samitit. Më duhet të them që në çdo samit përgjithësisht bihet dakord në radhë të parë për vendin ku do të mbahet dhe më pas për mënyrën e diskutimit. Nuk kanë qenë të paktë kolegët dhe politikanët që kanë pasur një lloj vështirësie kur është bërë propozimi për t’u mbajtur samiti në Londër për vetë faktin se ky vit është vit përcaktues për të ardhmen e negociatave të divorcit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE, po nga ana tjetër është konsideruar si një mundësi e mirë për të rikonfirmuar, politikat kryesisht në fushën e sigurisë që Mbretërisa e Bashkuar ndjek në Ballkanin Perëndimor. Është kjo arsyeja që për herë të parë në këtë samit ne kishim çështje që kanë lidhje me sigurinë, në konceptin jo të ngushtë të fjalës, jo thjesht çështje që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, po dhe çështje që lidhen me historinë e rajonit, tonë ndoshta jo domosdoshmërisht me Shqipërinë, si çështja dhe deklarata për të zhdukurit gjatë konfliktit në ish Jugosllavi, po duhet thënë që në këtë samit u krijua një lloj sinergjie mes agjendës së kontektivitetit apo ndërlidhshmërisë së rajonit, agjendës që ka lidhje me tregun apo implementimin e detyrimeve që burojnë nga zona ekonomike që është në proces krijimi në rajonin tonë dhe çështjet që kanë lidhje me sigurinë, procese këto që impaktojnë njëria-tjetrën.

Po kështu dhe formati i bisedave në nivelin e kryeministrave, ministrave të Jashtëm, ministrave të Brendshëm dhe ministrave të Ekonomisë që u takuan në vigjilje të samitit në Vjenë. Më lejoni të them këtu një risi tjetër të samitit, në lidhje me krijimin e Fondit të Garancisë përsa i përket SME-ve, rreth 150 milionë euro që do të jenë në dispozicion të SME-ve dhe projekteve të ndryshme që do zbatohen dhe në funksion të zbatimit të Zonës Ekonomike në rajonin tonë, dhe samiti i Londrës gjithashtu konfirmoi një angazhim të ripërtërirë të Mbretërisë së Bashkuar ku u vendosen në dispozicion të vitit të ardhëm 40 milionë paund dhe 80 milionë paund për projekte që kanë lidhje me vitin 2020-2021. Fokusi është tek të rinjtë dhe agjenda dixhitale që impakton zhvillimet në ekonomi dhe krijon rrjet të madh të të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

E treta, po jo më pak e rëndësishme dhe për shkak të debatit të madh mediatik ndërkombëtar, ka lidhje me samitin e NATO-s në Bruksel. Nuk ka besoj ndonjë komision e forum më të mirë se ky për të diskutuar disa prej çështjeve që ishin pjesë e diskutimeve kryesore, qoftë përsa i përket angazhimeve financiare, dhe jo vetëm, apo ajo që njihet ndryshe si barra që mbajnë vendet anëtare në këtë aleancë përsa i përket operacioneve të ndryshme ushtarake por dhe investimet që bëjnë në zhvillimin e politikave të mbrojtjes. Media ndërkombëtare ka reflektuar gjerësisht diskutimet që janë bërë në samit, mund të thuhet fare qartë që në bazë të raportimit dhe të shifrave nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, Shqipëria ka një projeksion shumë pozitiv e vlerësuar dhe nga SHBA që ishin forca kryesore, apo motori kryesor lëvizës në insistimin që kishin ndaj vendeve të tjera për të rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Shqipëria llogaritet sipas vetë raportit, e katërta, përsa i përket në raportin me GDP, pra raportin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, përsa i përket rritjes që ka në këtë drejtim. Një çëshjte tjetër e rëndësishme e samitit kishte të bënte me konfirmimin e politikës me dyer të hapura, qoftë me ftesën që iu dha fqinjit tonë, që në të ardhmen e afërt do të quhet Maqedonia e Veriut, apo dhe në rikonfirmimin në të njëjtën linjë si me samitin e Uellsit, dhe Varshavës të rëndësisë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Jemi gjithashtu të gëzuar përsa i përket gjuhës që adopoton samiti i Brukselit në lidhje me Kosovën, ambiciet e Kosovës për të pasur një marrëdhënie më të institucionalizuar me NATO dhe në kushtet kur misioni më i madh i NATO, KFOR, është i stacionuar në Kosovë. Gjithashtu tema të tjera të diskutimit në samit kishin lidhje qoftë me projektimin e stabilitetit kryesisht në Lindjen e Mesme dhe për shkak të situatës së paprecedentë dhe impaktit që sjell kriza refugjatëve për të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane, sikundër dhe me paketën e masave që u adoptuan qoftë për misionin në Irak apo modernizimin e mëtejshëm të NATO.

Pika e fundit që doja të ndaja me ju po jo më pak e rëndësishme është dhe ndërveprimi mes dy organizatave të rëndësishme. Në njërën që jemi anëtar, NATO, dhe tjetrën aderojmë të jemi, Bashkimi Evropian, ku dhe në këtë samit kemi një rikonfirmim të aleancës së fortë që ekziston mes dy organizmave më të fuqishme në botë sot për sot. Njëra përsa i përket aspektit të sigurisë dhe ushtarake dhe tjetra pushtetit të butë dhe programeve që aplikon.

*Ky post u realizua nga Eneida Daci. Lajmi i referohet deklaratës së ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Copyright Tiranapost.al