Politikë

Bushati, mesazh palëve politike: Duhet përgjegjshmëri për negociatat me BE

Bushati, mesazh palëve politike: Duhet përgjegjshmëri për

Pak ditë nga publikimi i raportit vjetor nga ana e Komisionit Europian lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nënvizon se nuk është ky hapi ku Tirana duhet të përqendrojë vëmendjen.

Në një intervistë për Vizion Plus, ai thotë se: "Ne jemi në kushtet kur pritshmëria kryesore duhet të jetë për datën dhe jo më për raportin. Duhet të kujtoj që Maqedonisë së Veriut të nga 2009 nuk i ka munguar një rekomandim nga Komisioni Europian që shoqëronte Raportin e Progresit apo raportin vjetor, dhe në një dekadë pavarësisht se kishte në mënyrë të përvitshme përsëritjen e rekomandimit, nuk e pati të mundur të fillonte bisedimet për anëtarësim. Prandaj në këtë moment fokusi ynë kryesor duhet të jetë sigurimi i konsensusit brenda vendeve anëtare në mënyrë që Shqipërisë t'i jepet data".

Por Bushati është dhe kritik më situatën në vend, e cila sipas tij, mund të reflektohet në vendimin përfundimtar të vendeve anëtare. Ish-ministri i jashtëm bën apel për përgjegjshmëri të brendshme.

"Sigurimi i konsensusit tek vendet anëtare, bazuar tek përsëritja e një rekomandimi që do të vinte nga Bashkimi Europian, do duhet të shoqërohet dhe më përgjegjshmëri politike që do duhet të vij nga Shqipëria", tha ai.

Komisioni Europian pritet të publikojë Raportin e Vjetor më 29 maj ku të gjitha gjasat janë që Shqipërisë t'i jepet sërish rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave. Por ende nuk ka asnjë vendim se kur mund të mblidhet Këshilli, i cili është dhe organi përgjegjës për vendimin përfundimtar për çeljen ose jo te negociatave te anëtarësimit. /Tiranapost.al/