Opinion Te gjitha

Bushati-Kotzias, në Kretë u luajt vetëm akti i parë


Duke shpjeguar një koncept letrar, Çehovi thoshte se “Nëse në aktin e parë të një drame është varur një pushkë në mur, atëherë në aktin pasardhës pushka duhet të shkrepet. Nëse nuk shkrepet, nuk ka pse të jetë e varur në mur”. Akti i parë serioz i negociatave u luajt. Tashmë në aktin e dytë “pushka duhet të shkrepet”: duhet të kemi të paktën një marrëveshje apo një rezultat konkret që të gjithë të kuptojmë se Kreta ishte hapja e një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe jo labirinti i radhës.

Nga Erjon Uka/ Në mitologjinë greke, Kreta dallohet për dy elementë të veçantë: Si vendlindja e Zeusit, më i madhi i të gjithë perëndive, si edhe për labirintin e Minotaurit. Këtë fundjavë, Kreta u kthye sërish në qendër të vëmendjes, sidomos për shqiptarët.

Takimi i dy ministrave të jashtëm Bushati dhe Kotzias në ishullin e Kretës, i disati në harkun e dy viteve të fundit por i pari kokë më kokë larg vëmendjes mediatike dhe asaj evropiane, përbën përpjekjen e parë serioze të dy zyrtarëve të nivelit të lartë për t’i dhënë zgjidhje shumë çështjeve të karakterit procedurial, por edhe historik.

Në fakt, edhe deklarata e përbashkët e dy ministrave pas takimit, ishte e para e llojit të saj, megjithëse është krejt e vërtetë që rezultate konkrete nuk patëm. Por kush mendonte që pas dy ditësh takim do t’u jepej zgjidhje përfundimtare çështjeve të nxehta gati shekullore, me siguri është përfshirë nga një idealizëm naiv.

Kjo sepse gjithnjë bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë përdoren për të fituar kapital politik këtej e andej kufirit, dhe u duk qartë që pak orë pas përfundimit të takimit. Partia më e madhe opozitare helene, Demokracia e Re, nëpërmjet një kërkese zyrtare ku nuk fshihej irritimi, i kërkonte Ministrisë së Jashtme greke që të zbardhte plotësisht takimin; e njëjta gjë ndodhi edhe në Tiranë, ku eksponentë të rëndësishëm të PD nxituan të artikulojnë teori konspirative mbi atë se ç’kishte ndodhur me dyer të mbyllura. Kaq mjafton për të kuptuar se në zgjidhjen e problemeve politike mes dy vendeve, problemi është vetë politika.

Por përtej gjithçkaje, fakti është se negociatat për herë të parë janë vendosur në një stad tjetër dhe Shqipëria po ulet në një tryezë e barabartë me Greqinë me kërkesa të qarta dhe me propozime konkrete. Diskutimi i çështjeve duke filluar nga Çamëria, te marrëveshja e detit, toponimet apo edhe bllokimi i kufirit tashmë nuk është më një mollë e ndaluar dhe nuk ndeshet me histerizmat nacionaliste të zyrtarëve grekë.

Tashmë pritet një takim tjetër i dy ministrave që me siguri do të japë, dhe duhet të japë, rezultate konkrete. Përtej deklaratave protokollare apo edhe politike, Nikos Kotziasi ka dëshmuar se ekziston vullneti i qeverisë greke për t’i dhënë zgjidhje problemeve, ndërsa Ministria e Jashtme e Shqipërisë ndoshta për herë të parë duket në lartësinë e këtyre negociatave.

Duke shpjeguar një koncept letrar, Çehovi thoshte se “Nëse në aktin e parë të një drame është varur një pushkë në mur, atëherë në aktin pasardhës pushka duhet të shkrepet. Nëse nuk shkrepet, nuk ka pse të jetë e varur në mur”. Akti i parë serioz i negociatave u luajt. Tashmë në aktin e dytë “pushka duhet të shkrepet”: duhet të kemi të paktën një marrëveshje apo një rezultat konkret që të gjithë të kuptojmë se Kreta ishte hapja e një kapitulli të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe jo labirinti i radhës./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *