Aktualitet

Bujar Leskaj rikthehet në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Bujar Leskaj rikthehet në krye të Kontrollit të Lartë

Bujar Leskaj do të vazhdojë të jetë kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri në momentin kur ai do të zëvendësohet nga një drejtues i ri. Ai u largua nga drejtimi i KLSH pas mbarimit të mandatit më 22 dhjetor 2018, dhe kompetenca ia delegoi zv.kryetares së institucionit.

Por ditën e sotme, Leskaj ka firmosur heqjen dorë nga delegimi i kompetencave, tek zëvendëskryetarja e KLSH-së, Lindita Lati Milo, pasi kjo e fundit është tërhequr nga ushtrimi i kompetencave të kryetarit për arsye personale.

Në vendimin e firmosur nga Bujar Leskaj theksohet fakti se për të garantuar vijueshmërinë e punës, ai do të qëndrojë në këtë funksion deri në zëvendësimin e tij.

“Pas kërkesës për tërheqje nga kompetencat e deleguara të zv. Kryetares, znj. Lindita Milo për arsye personale, dt. 21.05.2019, nr. 347, dhe garantimit të vijueshmërisë normale të punës;

Në kushtet e zgjatjes në kohë të nominimit dhe përzgjedhjes së Kryetarit të ri të KLSH-së, sipas përcaktimeve të Ligjit 154/2014.

VENDOSA:

1. Shfuqizimin e kompetencave të deleguara me vendimin e Kryetarit nr. 244, datë 12.12.2018 zv/Kryetarit të KLSH-së znj. Lindita Lati (Milo).

2. Ky vendim do i përcillet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të opozitës.

3. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e kreut të KLSH.