Art dhe Kulturë

Braçe: Merruni me Zenin e predhave e fishëkzjarrëve, jo me violinistin

Deputeti socialist, ka ironizuar kundër kritikave ndaj koncertit të Shkëlzen Dolit në Tiranë. Braçe “habitet” që goditet “Zeni me violinë”, duke ia adresuar shigjetat Petrit Vasilit dhe Ben Blushit, dy prej kritikëve të eventit të 2 janarit
Braçe: Merruni me Zenin e predhave e fishëkzjarrëve, jo me

Koncerti i violinistit shqiptar Shkëlzen Doli në Tiranë më 2 janar u kthye në “sherr virtual politikanësh në Facebook”, por ai që u ka dhënë një shuplakë të fortë të gjithë kritikëve ishte Erjon Braçe. Deputeti socialist, ka ironizuar kundër kritikave ndaj koncertit të Shkëlzen Dolit në Tiranë. Braçe “habitet” që goditet “Zeni me violinë” dhe jo Zeni “me predha e fishekzjarrë”, duke ia adresuar shigjetat LSI-së dhe Ben Blushit.

Reagimi i Braçes erdhi pasi shumë politikanë kritikuan koncertin e Filarmonisë së Vjenës në Tiranë.

Deputeti socialist në postimin e tij, i përgjigjet zv/kryetarit të LSI-së, kur pyet se ndaj cilit Zen protestojnë? Ai thotë se qe orkestra e RTSH i bie më mirë violinës, kjo nuk është kritikë. “Të drejtë kanë, në këtë vend kushdo i bie më mirë kitarës se Karlos Santana, këndon rok me mirë se Bono, bën tenorin me muzikë klasike më mirë se Andrea Boçeli, luan futboll më mirë se Leo Mesi, bën trajnerin më mirë se Zhoze Murinjo”, shkruan Braçe.

Në fund të postimit të tij, Braçe ironizon përsëri edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, të cilin e quan si shqiptarin e vetëm me karrierë ndërkombëtare që ia vlen.

Postimi i Braçes:

“Protestë masive kundër Zenit! Më në fund! Në Facebook, por ç’rëndësi ka, mjafton dhe këtu. Kush nuk pati besim që ky vit do jetë ndryshe, ja ku e ka faktin, të parin fare këtë vit.

Si, si, nuk është ndaj Zenit që mendoj unë?! Po për cilin Zen protestojnë? Për Zenin me violinë?! Nuk protestojnë kundër atij me predha e fishekzjarrë?! Nuk flasin hiç kundër tij?!

Po me violinën çfarë kanë?! I bie më mirë violinës orkestra e RTSH?! Epo nuk është kritike kjo, mos e bëni kaq të madhe.

Të drejtë kanë, në këtë vend kushdo i bie më mirë kitarës se Carlos Santana, këndon rock më mirë se Bono, bën tenorin në muzikën clasike më mirë se Andrea Bocelli, luan futboll më mirë se Leo Messi, bën trajnerin më mirë se Hose Mourinjo;

Madje, madje, mban qylafin në kokë dhe e pi rakinë me fund më mirë se Armando Duka!! Ky i fundit është shqiptari i vetëm me karrierë ndërkombëtare që ja vlen!”.

Sulmet ndaj koncertit

Veç Petrit Vasilit të LSI-së ishte Ben Blushi ai që akuzoi si edhe ironizoi tre partitë e mëdha, PS, PD dhe LSI. “Treshe nën një qeleshe”, i cilëson kreu i LIBRA, tre partitë sipas tij të vjetra, që nuk merren vesh për qeleshen e Shkëlzen Dolit. Sipas Blushit, banditët nëpër Bashki dhe Kuvend i kanë në tavolinë dhe simfoninë e papunësisë e luajnë me një violinë. “Do të mbahen mend si një treshe që e ndau një qeleshe”, deklaron kreu i LIBRA.

Kryeministri Edi Rama, në një postim në faqen e tij në Facebook i shprehu mirënjohjen Shkëlzen Dolit dhe Ansamblit Filarmonik të Vjenës për mbremjen fantastike që i dhuruan Shqipërise, Kosovës e gjjthë shqiptarëve kudo.

Edi Rama i cili i priti artistët edhe në kryeministri u shpreh se Koncerti i Vjenës në Tiranë mori ngjyra të veçanta falë gjetjes së bukur të qelesheve, rakisë dhe dollisë së ngritur nga instrumentistet vjenezë në gjuhën shqipe.