Art & KulturëTe gjitha

Bota, universi u krijua nga një marrëdhënie dashurore, nga një ngjizje e përsosur […]


Dr. OLTSEN GRIPSHI, Historian dhe kritik arti/ I frymëzuar nga Konceptualizmi i filozofisë mesjetare të Abelardo-s, si dhe nga Arti Konceptual i viteve ’60 të shekullit XX, mbërrij sot të konkretizoj ngjyrat e botës time të brendshme nëpërmjet konceptuales në portretizimin e realitetit si dëshmitar i kësaj kohe; i kohës tonë, i kohës që gjëmon furishëm me dinamizmin, i cili karakterizon të tashmen, por kurrsesi nuk harron të shkuarën…

– Kjo është pikënisja e mendimit tim, e konceptit tim dhe e konceptualizmit midis antropologjisë kulturoro-sociale shqiptare dhe fenomenologjisë pa kufinj e vendndodhje; një përqasje kjo sa origjinale aq dhe e guximshme, që kërkon të shkrijë në një të vetme copëza nga antropologjia shqiptare me fenomene të ndryshme universale, pagjuhë dhe entitet.

“Psikologjia neuroestetike” kjo kompozitë mbiemërore më ka ngacmuar gjithmonë ndërgjegjjen për të krijuar diçka. Një diçka si produkt i gërshetimit të idesë me mendimin (konceptin) ku realja dhe surrealja marrin dhe japin nga njëra-tjetra. Ideja dhe mendimi, një lojë fjalësh, e cila depërton thellë në shqisat perceptuese brenda mureve të qelqta të unit tim; un që kriset, gati-gati shkërrmoqet e që braktis kryeneçësinë e të qëndruarit larg dhe indiferent përballë fenomeneve të së përditshmes. Nis të reflektoj, të gërrmoj dhe të hulumtoj se si mund të bëhem denoncues i këtyre fenomeneve apo pse jo idealizues i tyre.

Ky është dhe tezgjahu, i cili tjerr në vazhdim marrëdhënien midis meje dhe konceptuales. Një marrëdhënie dashurore, por edhe urretjeje, sepse mua më pëlqen e bukura dhe estetika në formësimin e veprave të mia, ndërsa konceptualja më këshillon të braktis këtë ndjesi sipërfaqësore démodé dhe t’i kushtohem thellësisht e më shumë mesazhit (konceptit) me të cilin do të komunikojë vepra.

Qendra e gravitetit tërheqës të veprave të përzgjedhura per çimimin Canova Prize 2018 në New York dhe të atyre të cilat do të ekspozohen nga 8 qershor deri më 15 korrik 2018 në ekspozitën e përbashkët në Muzeun Shtetëror Casa del Mantegna në Mantova të Italisë është Shqipëria. Një ekspozitë, e cila vjen si pjesë e edicionit të dytë të Festivalit të Kulturës Shqiptare themeluar nga Anila CENOLLI, ku rëndësi të madhe përpos artistëve pjesëmarrës si: Artan SHABANI, i cili sjell një copëz realiteti shqiptar me në qendër Utopinë, sepse për të utopia e adultit gjendet jo në një vend që nuk ekziston, por në një tekst që nuk flet më. Një pikturë e freskët realiste te portretet drapezh dhe qendistare,gati sikur ato lule t’i kishte punuar një i verbër në letër…, Oltsen GRIPSHI vjen me katër vepra konceptuale nga ku del në pah kërkimi i tij ndaj qenies njerëzore dhe antropo-fenomenologjisë, duke vendosur në veprim semiotikën neuroestetike me veprat: “Kurban MCMCXVII”, “Anatomia e orgazmës”, “Albania Kawamata” dhe “Artisti personazh”, Alketa DELISHAJnjë artiste e re, por premtuese për artin bashkëkohor, e cila ekspozon një seri pikturash me në qendër vtminë, e cila përhumbet në reflekset vezulluese të ujit, Erjon NAZERAJ skulptori, i cili arrinë të gërshetojë më së miri materialet e ngurta me brishtësinë e imazheve të peizazheve të tij abstrakte mbi letër, Eldi VEIZAJfrymëzues dhe gati surreal në veprat e tij, ku ajo çfarë shpërfaqet në veprat e tij ka të ngjarë me ezocizimin e së keqes në brendësi të individit, ku portretet nuk janë më të tillë, por imazhe në të cilën ngërthehet meditimi, Xhimi HOTIartisti i ri nga Shkodra, i cili realitetin e lakuar dhe me vëllime e thjeshton falë përdorimit të formave gjeometrike, duke hudhur hapin drejt një horizonti të ri estetik,Soni TUFINArealist dhe i ndjeshëm, aq sa Shqipëria për të mbetet frymëzimi i përjetshëm, por paharruar edhe pikturën naïf të Guri BULOLLARIT, i cili na rrëmbën me imazhet  e tij të realizuar me një gjuhë estetike fëminore, por plot ngjyra dhe ndjeshmëri.Tëtetë artistët do të ekspozojnë në sallën qendrore të Casa del Mantegna falë gjuhëve të tyre estetike sa konceptuale aq dhe realiste në shtjellimin e fenomeneve të ndryshme sociale me gjurmë shqiptare, për t’u theksuar është edhe koncepti kuratorial i dy kuratorëve italian Luigi MARASTONI dhe Sebastiano ZANETTI. Vëmendja e dy kuratorëve përqendrohet në një emërtim disi cingërsues “Maledetti Albanesi: le aquile sono in volo” në leximin e parë, por në të vërtetë ata ngrejnë një diskutim shumë të mprehtë të kohës në të cilën ne jetojmë, duke prekur çështje të atilla si imazhi i shqiptarëve në Itali në tre dekadat e fundit, ku shpeshherë dëgjohet të thërritet “Maledetti albanesi”, por për dy kuratorët shqiptarët janë burim frymëzimi me arritjet dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë italiane. Për kuratorët nëpërmjet veprave të artistëve bashkëkohor shqiptar të cilët janë pjesë e kësaj ekspozite, kërkohet të ndërtohet një urë bashkëpunimi dhe dialogu të munguar midis dy brigjeve të Adriatikut, duke ngjizur alkimi të reja pamore dhe konceptuale.

Veprat prezantohen të sinqerta dhe modeste për t’i dhënë përparësi më shumë fuqisë së mendimit sesa pamjes estetike të tepruar (ekstravagante).

“…Magjia dhe madhështia e mesazheve konceptuale të artit bashkëkohor janë shumë të fuqishme, pothuajse kapin në befasi edhe vetë artistin..”, O. Gipshi./ Copyright Tiranapost.al