Showbiz

Bobo sa të këqija janë gratë! (Parë me syrin e burrave)

Në timon jemi të rrezikshme. S’lëmë njeri pa sharë. Jemi xheloze. Flasim vetëm për rroba. Nuk kemi fare humor, ëndërrojmë vetëm të martohemi dhe presim princin e kaltër...

Kjo listë mund të vazhdonte deri në pafundësi ashtu si të pafundme janë stereotipet që burrat kanë për ne. Por ka ardhur koha t’i mundim. Fillo të mbash shënime

Gratë janë të poshtra

Mjafton të ulesh në një kafe dhe të përgjosh bisedat e vajzave në tavolinën ngjitur... e sigurt që janë duke folur keq për një tjetër vajzë, për kilet e saj të tepërta, për veshjen... ose bëjnë komente për këpucët e një vajze tjetër që sapo hyri. Femrat nuk bëjnë gjë tjetër veçse kritikojnë njëra tjetrën.

Përse burrat na shohin kështu

Sepse në fakt duhet ta pranojmë. Kjo është ca e vërtetë. Vajzat shpesh gjuajnë të njëjtin djalë, luftojnë kush ta rrëmbejë e para. Kritikat shërbejnë për të ulur rivalen ose për të gjetur besim tek vetja. Një studim kanadez ka treguar se mes javës së dytë dhe të tretë të ciklit menstrual, gratë arrijnë pikun e “poshtërsisë”. Kështu që gjithçka duhet të jetë çështje biologjike.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Të shmangim mbledhjet me mikeshat? Sigurisht që jo... çështja thelbësore është një tjetër: përse kjo sjellje i bezdis burrat? Mos kanë frikë të jenë të kritikuar edhe ata? Një zgjidhje mund të ishte t’u bësh komplimente edhe vajzave.

Gratë kanë më pak humor sesa burrat

Si në punë ashtu edhe në kohën e lirë zbavitesh më shumë kur je në shoqërinë e shokëve. Vajzat nuk janë zbavitëse. Marrin çdo gjë seriozisht, nuk kanë batuta. Kanë më pak sens humori krahasuar me meshkujt.

Përse burrat na shohin kështu

Gratë kanë më pak aftësi vetironizuese krahasuar me burrat. Për të pasur humor mjafton një dozë e mirë vetëbesimi. Dhe në përgjithësi burrat janë më të sigurt në vetvete, ja pse ia lejojnë vetes më shumë ironinë.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Nuk bëhet fjalë të qeshësh me të gjitha batutat idiote dhe vulgare që thotë kolegu yt në bar... por të shfrytëzosh atë aftësi kundërshtimi që vetëm ne e kemi.

Gratë nuk e kanë sensin e orientimit

Me ndonjë përjashtim të rrallë, gratë humbasin vetëm po të largohen pak nga rruga që bëjnë përditë për të shkuar në punë

Përse burrat na shohin kështu

Ndonjëherë është e vërtetë, por jo gjithmonë. Burrat dhe gratë kanë një sens të ndryshëm orientimi. Të parët kanë një vizion global të hapësirës, kurse gratë janë më konkrete, kanë nevojë për pika referimi. Dhe kur këto pika referimi mungojnë, atëherë mund edhe të ngatërrohemi. Ama ne të paktën kur nuk dimë se nga t’ia mbajmë nuk kemi trup të pyesim apo të kërkojmë ndihmë.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Ji e vëmendshme në çdo moment. Më mirë lër atë t’i japë makinës dhe ti shijo panoramën. Por fikso mirë objekte dhe detaje që do të të ndihmojnë për të mos e ngatërruar më rrugën. Në rastin më të parë tregoi se e ke mësuar mësimin përmendësh.

Gratë flasin vetëm për këpucë dhe rroba

Ç’do veshësh sot? Ua po në dasmën e Elës ç’do veshësh? Do m’i tregosh ato këpucët që kishe kapur me ulje çmimi? Domethënë dinë të flasin vetëm për një gjë. Dhe në këtë pikë të gjithë burrat janë në një mendje.

Përse burrat na shohin kështu?

Bisedat për futbollin mos janë gjë më të hatashme? Ata besojnë se janë më interesantë, sepse flasin për politikë dhe ekonomi. Por e vërteta është që nuk mjafton të flasësh, duhet ta bësh këtë në mënyrë inteligjente dhe konstruktive. Bisedat tonë për veshjen na ndihmojnë t’i japim ngjyra të përditshmes dhe për t’u çlodhur, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk dimë të përballemi me argumente të tjerë.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Përse të mos i lëmë të mendojnë ç’të duan? Por nëse kërkon patjetër t’i ndryshosh mendimin organizo një pasdite për kafe me të dhe mikeshat e tua. Do ta kuptojë se nuk kaloni gjithë pasditen duke folur për këpucë.

Të gjitha presin princin e kaltër

Të gjitha vajzat, pavarësisht moshës nuk reshtin kurrë së menduari dhe të prituri ardhjen burrit ideal, perfekt me të cilin do kalojnë gjithë jetën, por që në fakt ekziston vetëm në ëndrrat e tyre për pasojë ka gjithmonë diçka që nuk shkon edhe kur ti sillesh si xhentëlmen i vërtetë

Përse burrat na shohin kështu

Në fakt edhe burrat besojnë në hirushe. Jemi rritur të gjithë me të njëjtën skemë dhe të gjithë shpresojmë të gjejmë personin “e duhur” me të cilin të ndajmë jetën. Të shpresosh është normale. Nuk janë vetëm vajzat që janë më kërkuese se dikur. Por përballë pavarësisë së tyre, burrat janë destabilizuar dhe nuk dinë më si t’i bëjnë për vete.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Duke imagjinuar gjithmonë burrin perfekt, rrezikojmë të ngelemi të zhgënjyera. Duhet të përpiqemi të zbresim nga reja e ëndrrave ku lundrojmë dhe t’i pranojmë burrat për atë që janë. Por edhe t’i shtyjmë të na duan pa frikë.

Ato mezi presin të martohen

"Nuk kam pasur shumë të dashura, por historitë e mia kanë përfunduar gjithmonë sepse ato ishin të paduruara për të kaluar në nivelin më të sipërm të lidhjes: martesa. Njëra prej tyre donte që të bashkëjetonim tre muaj pas njohjes, një tjetër fliste vetëm për fëmijë, kurse e fundit më vuri ultimatum: “o martohemi, o të lashë”. Ja pse jam single", rrëfehet njëri prej tyre.

Përse burrat na shohin kështu?

Në përgjithësi dëshirojmë të gjithë të njëjtën gjë: seks, pasion, familje dhe fëmijë. Gratë janë më të pritura për këtë skemë për shkak të orës së tyre biologjike. Ato e përjetojnë gjithçka me shpejtësi të madhe dhe gjenden pashmangshmërisht duke shpejtuar edhe ecurinë e raporteve të tyre në çift.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Për të zgjidhur këtë situatë përpjekjet duhen bëtë nga të dyja palët. Rregulli numër një: mos e streso partnerin. Mund t’ia mbathë me të katra. Rregulli numër dy: kujto se ndoshta për momentin nuk është gati të impenjohet aq shumë, por ndoshta do të jetë së shpejti. Rregulli numër tre: duhet të pranosh të respektosh zgjedhjet e të tjerëve: dhe në fund: fol me të! Jo që të përpiqesh ta bindësh por për të kuptuar se çfarë e pengon në të vërtetë.

Gratë janë shumë xheloze

Ka shkallë të ndryshme xhelozie por të gjitha të paktën një herë në jetë kanë kaluar në krizë për shkak të kësaj ndjenje. Dhe shpesh pa arsye! Është i tmerrshëm fakti se deri në ç’pikë mund të jenë xheloze.

Përse burrat na shohin kështu?

E vërteta është se të gjithë instinktivisht mund të jenë xhelozë dhe të ndihen keq për shkak të xhelozisë. Sigurisht ne, shqetësoheni më lehtë, por a arrijnë burrat ta përballojnë ashtu siç duhet? Diferenca e vërtetë mes të dy gjinive është tek natyra e xhelozisë: gratë përjetojnë një xhelozi “sentimentale, ndërsa tek burrat xhelozia ka natyrë “seksuale”. Ja përse ata nuk e kuptojnë se përse e dashura bëhet xheloze kur ata shohin një vajzë të bukur në rrugë.

Si t’i bëjmë që të ndryshojnë mendim?

Duhet të kalojmë në sulm. Mjaft e pyetje “kush ta ka dërguar këtë mesazhin?” dhe mos kërko llogari deri më një kur kthehet vonë nga puna. Mund të ndjekësh një strategji tjetër në vend që ta shohësh me inat kur ai ndjek me sy një vajzë seksi që po kalon pranë jush. Bëji ti e para një kompliment: “e lezetshme ajo vajza, apo jo?” ose “po sikur të vesh edhe unë një fund si i saji? Kështu do ta kthesh vëmendjen e tij tek vetja.