Aktualitet

Blushi na tregon kanarinën para votimit, operatori kënaqet me ndjekësit

Ka qenë një dialog i pazakontë ai i Ben Blushit sot me një kanarinë në zyrën e tij, të cilën ai e quajti LIBRA. Në një video të postuar pak më parë, Ben Blushi ka prezantuar të gjithë ndjekësit me zogun që mban në kafaz dhe siç duket nga video sot po e ushqente.

“Kjo është kanarina LIBRA dhe po e ushqej sot, që të bëhet gati për votimin. Quhet LIBRA kanarina jonë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të merrni pjesë në votime dhe falënderoj të gjithë ata që kanë votuar LIBRA-n sot, por ka mbetur edhe gjysma e ditës. Më shumë se kushdo LIBRA-t kanë sot arsye të marrin pjesë në votim, jeni njerëzit më të motivuar. Jeni kanarina e vetme në këtë minierë qymyri që është Shqipëria”, ka thënë Blushi, ndërsa personi që ka qenë duke e xhiruar është shprehur entuziast për shikueshmërinë duke thënë “Po rritet frikshëm, vajti 130.”

Më pas sërish Blushi ka nisur sërish t’i thurë elozhe kanarinës. “Shikoni këtë dhe votoni. Keni parë kanarinë më të bukur? Është peshqesh nga një votues i LIBRA-s. Kjo nuk këndon tani, e tremb dikush. S’duhet me e prek shumë, shih si trembet. Votoni patjetër, duhet të votoni patjetër sot. Kush është LIBRA sot voton me çdo kusht. Askush nuk ka një votë më të freskët se ne”, ka thënë ai në video-mesazh.

Megjithëse ai ishte ndër kritikët më të mëdhenj të Edi Ramës kur ky i fundit postoi një foto me një papagall, Blushi sot ka shkuar përtej duke xhiruar një video ku flet me një kanarinë./Tiranapost.al

https://www.facebook.com/benblushi.al/videos/540335462756767/