Aktualitet

Bllokuan Kakavijën, iu hiqet imuniteti dy deputetëve neonazistë grek

Bllokuan Kakavijën, iu hiqet imuniteti dy deputetëve neonazistë

Me një shumicë të madhe votash, Parlamenti grek i ka hequr imunitetin dy deputetëve të partisë neonaziste greke Agimi i Artë. Pro heqjes së imunitetit për Kristos Papas dhe Kosta Barbarouses kanë votuar 170 deputetë, 2 ishin kundër, 1 deputete nuk ishte e pranishme dhe 13 të tjerë ishin abstenim.

Kërkesa për heqjen e imunitetit është bërë nga prokuroria greke, pas bllokimit të pikës kufitare në Kakavijë nga Kristos Papas dhe Kosta Barbarouses në vitin 2013.

“Do të shkoj përsëri në pikën e Kakavijës. Do të shkoj edhe me njerëz të tjerë edhe me autobusë. Di t’i mbaj premtimet dhe nuk ndryshoj bindjet në baze të interesave vetjake. Ne nacionalistet dhe unë personalisht mund të shkojmë edhe në burg për idetë tona”, deklaroi Papas në Parlament.

“Ne, se i mërzitem miqtë tuaj shqiptare, do Zoti t’ja kemi arritur dhe le të jemi të rrezikshëm për miqësinë tuaj. Për mua personalisht, sa është i skllavëruar vorio-epiri ynë, do të ekzistojë edhe ligji I luftës”, deklaroi Konstandinos Barbarusis.

Në 2013, duke mbajtur në duar flamujt e Greqisë dhe të partisë së tyre, Papas dhe Barbarusis kanë hedhur parulla si “Atje lart në Përmet do të ngrejmë përsëri flamurin grek”, “Vorio Epiri është Greqi, do të kthehemi sërish për këtë tokë”.