Art dhe Kulturë

"Blloku" i Isuf Kalos dhe shansi i humbur që mjeku i Enverit të sillte një libër që vlen

"Blloku" i Isuf Kalos dhe shansi i humbur që mjeku i Enverit

Një nga ato aksiomat që mëson sapo fut këmbët në gazetari është se seksi dhe kronika e zezë shesin. Por ka një gjë që shet shumë më shumë: janë historitë e Bllokut komunist shqiptar, që nuk e përjashtojnë as anën rozë dhe as kronikën e zezë. Shto këtu historitë e vërteta, të sajuara apo të ndaluara, enigmat historike, kuriozitetin e njerëzve për ata që i kanë udhëhequr për mbi 50 vjet dhe ja ku e ke bestsellerin, librin që do ta duan të gjithë.

"Blloku" i Isuf Kalos i ka të gjithë këta përbërës, sipas botimeve UET Press ka shitur rreth 3 mijë kopje deri tani, edhe pse ka dalë në verë, kur shumë kanale komunikimi televiziv që u bëjnë publicitet botimeve, kanë qenë të mbyllura dhe pritet të shesë shumë më shumë gjatë Panairit të Librit, në nëntor. Shtëpi botuese konkurrente e pohojnë gjithashtu: mjaft botime të mira janë lënë në hije dhe për to nuk ka folur kush, sapo ka dalë "Blloku" në librari. Nisja e sezonit të ri televiziv ka ndezur motorët e publicitetit për këtë libër: “Blloku” me siguri do të jetë libri më i shitur i viteve të fundit.

Por, megjithëse me titullin premtues, se brenda këtij botimi gjenden kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës, libri lë shumë, po shumë për të dëshiruar. Një vëllim me 624 faqe, as tamam kujtime e as letërsi, një vëllim i gjatë, i tejmbushur me citime gjithfarësh, analiza e përsiatje të autorit dhe tek-tuk ndonjë dëshmi, “Blloku”, pasi e lexon, të jep përshtypjen se ke pasur në dorë një shans të humbur të dikujt, që me gjasë di shumë gjëra, por nuk ka folur për ato që di dhe ka nakatosur edhe njëherë ujërat me ato që dinë të gjithë. Për shembull:

•       Libri duket se fillon diku nga faqja 200. Një përshkrim rrugicash blloku, nja 100 faqe përpara, të bën të thuash me vete epo filloi… Por jo. Rrëfimi në vetë të parë, kur autori u emërua mjek personal i Hoxhës, nis tamam në faqen 204. Më në fund ke idenë që autori do të të rrëfejë si ishte Enver Hoxha, si ishte shtëpia, si hyhej në Bllok, si kalohej postblloku, si ishte për një njeri nga “jashtë” të hynte në zonën e ndaluar, mbi të gjitha si arriti ai të depërtonte në atë zonë të ndaluar… Më falni që po ua heq dhe unë kuriozitetin që tani: edhe pas faqes 204 nuk ka ndonjë rrëfim të tillë.

•       Blloku është gjëja që mungon më shumë në libër. Vetëm disa paragrafë e përshkruajnë. Pjesa tjetër, pa ndonjë rend të caktuar as kohor as stilistik, janë thjesht histori rreth Bllokut, që mund t’i shkruante gjithkush. Nuk ka asgjë të keqe, sigurisht, që t’i shkruajë edhe Kalo, por nga “rrëfimi personal i mjekut të Enver Hoxhës” lexuesit presin tjetërlloj rrëfimi. Po qe për historinë e Enver Hoxhës, e ka bërë shumë më me detaje Blendi Fevziu, si gazetar. Kurse përshkrimin e Bllokut si dëshmia e një ish-banoreje, e ka bërë më së miri Vera Bekteshi tek “Vila me tri porta”. Isuf Kalo e humbi shansin ta shihnim Bllokun me sytë e një mjeku.

•       “Ramiz Alia” do ishte titulli i saktë i librit të Isuf Kalos. Sepse gjithë libri është shkruar sipas ndikimit që pati Ramiz Alia në jetën e Bllokut sa qe Enveri gjallë dhe pas vdekjes së tij. Qëkur doli botimi në treg, në tryezat e njerëzve që pëlqejnë të diskutojnë për libra, është bërë trendy edhe diskutimi: Ore, po Kalos ku t’i ketë mbetur hatri kaq shumë me Ramizin?! Apo kujt të jetë duke i shërbyer?! Për hir të së vërtetës, në libër autori na tregon që Ramizi ndoshta do të donte që Kalo të bëhej dhe mjeku i tij personal, kur zuri vendin e Hoxhës në krye të Komitetit Qendror të Partisë, por qe ai vetë që refuzoi (duke i paraprirë thashethemit që hatërmbetja vjen pikërisht se Ramiz Alia e ka shmangur). Ndërsa në intervistën një javë më parë në “Opinion” iu përgjigj Blendi Fevziut se Nexhmije Hoxha jo vetëm që nuk ka asnjë ndikim në këtë libër, por se ai ka shumë e shumë vite pa komunikuar me të. E megjithatë, tendenca ndaj Ramizit është kaq e ndjeshme. Në 600 e kusur faqe Kalo bën kaq çmos që t’i lërë Alisë gjithë fajet e mëkatet e mundshme, të arrijë madje sa të nënkuptojë që më tepër sesa dhuna e diktaturës së Hoxhës në popull ka ndikuar për keq propaganda që varej nga Ramizi, sa në fund fare të arrijë krejt të kundërtën e qëllimit fillestar: Ramiz Alia i Isuf Kalos, në mos simpatik, të duket udhëheqësi më i mirë i mundshëm në atë kohë, të të duket madje fat që pas '85-ës ramë pikërisht në duart e tij.

•       Thashethemet me nuse dhe me vjehrra në Bllok qenë të parat që tërhoqën vëmendjen për këtë botim. Isuf Kalo ka trazuar edhe njëherë gjellën më të dashur të shqiptarëve. Por këtë nuk e ka bërë për të gjithë njëlloj, e ka lëshuar dorën për udhëheqësit e përmbysur, të dënuarit, por nuk i ka shpëtuar asnjë fjalë e thashethem për familjen që i bie ta njihte më mirë, atë të Enver Hoxhës. Ka rrëmuar histori të harruara e plagë të vjetra, ka dhënë gjykime për nuse mendjelehta, siç ka vlerësuar edhe nuse me virtyte, por asnjë dëshmi konkrete për miqësinë e tij me djemtë dhe nuset e familjes Hoxha, edhe pse mes rreshtash nënkuptohet që marrëdhëniet me ta kanë qenë të afërta. Flet diku për zemërimin dhe hatërmbetjet e njërit prej djemve, pa folur fillimisht për afrimitetin me ta.

•       Me përjashtim të një dëshmie të shkurtër, se si u shfaq Enver Hoxha mëngjesin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut (detaje me të cilat normalisht duhej të ishte i mbushur libri), historia e vetëvrasjes së ish-Kryeministrit shqiptar dhe shkaqet që çuan atje, që zënë kapituj të tërë në këtë libër, janë thjesht një rindërtim nga e para e gjithë artikujve që janë shkruar në këto 30 vjetët e fundit. Një harxhim i kotë për të rishkruar pa fakte të reja atë që ka përshkuar më mirë se askush tjetër vetë Bashkim Shehu në librin e tij “Vjeshta e ankthit”.

•       Ashtu siç nis pas dyqind faqeve, libri mbaron në të vërtetë dyqind faqe para. Sepse si zor se i hyn kujt në punë se si rishkruan një mjek historinë e ndryshimeve në Shqipëri. Kalo, sigurisht, si gjithë të tjerët, ka të drejtë të bëjë dhe ai analizën e historisë së pluralizmit. Por këto nuk quhen rrëfime të mjekut personal të Enver Hoxhës, sepse ish-mjeku nuk ka qenë dëshmitar në asnjë nga këto ngjarje.

•       Të njëjtin mekanizëm, për të mos folur për ato ngjarje ku ka qenë dëshmitar dhe për të folur vetëm për ato që i ka me të dëgjuar, Kalo e përdor edhe për personazhet që zgjedh që të hyjnë e të dalin nga "Blloku" i tij. Për shembull, merret në shumë faqe me Ismail Kadarene dhe “Pashallarët e kuq” dhe në asnjë sekuencë të vetme nga Blloku nuk përmend as edhe shkarazi Sali Berishën. Citon me emër çdo infermiere që ka bërë gjilpërat apo ka ndërruar oturakët dhe “harron” këtë personazh kaq të rëndësishëm të historisë, që do të vinte më pas, kur mjafton të futesh në Google dhe të serviren fotot e Sali Berishës gjatë kohës që ishte mjek në Bllok, në shoqërinë e djalit dhe nuses së Enverit, madje… Shumë faqe më pas Berisha nuk mungon, por jo si ish-koleg i Kalos, me të cilin puna duhet ta ketë lidhur në përditshmëri në Bllok, por si një nga personazhet kyç të fundit të regjimit, për të cilin Kalo nuk e fsheh admirimin. Sali Berisha është ndoshta i vetmi që mund të ketë mbetur i kënaqur nga ky botim (nëse e gjykojmë nga entuziazmi me të cilin u shfaq në promovim). As vetë Kalo, që në fund të intervistës tek Fevziu nuk e fshehu zhgënjimin që u fol shumë për Enver Hoxhën dhe pak për librin e tij.

•       Në 624 faqe libër sigurisht nuk mund të themi që Isuf Kalos i mungon bagazhi letrar dhe ambicia për të shkruar një libër që do të mbetet. Për shembull nëntitujt janë gjetur shumë të bukur dhe tregojnë që autori e ka një sens estetik. Por ja që ajo mosvendosje e tij, për të shkruar thjesht kujtimet e veta apo për të ndërtuar një histori të kohës, si të ishte një Stefan Cvajg (cituar jo pak herë në libër), e kanë bërë këtë botim diçka të midistë, as tamam kujtime, e kurrsesi një libër historik. Në fund të fundit, askush nga ne nuk ka pritur që Isuf Kalo të shkruajë një libër për Enverin a Ramizin si të ishte Stefan Cvajgu me Jozef Fushenë. Eshtë shumë të kërkojmë kaq prej tij apo edhe prej ndokujt tjetër, që në një mënyrë a një tjetër ka kaluar në atë Bllok, ka pasur interesat dhe jetën e vet të lidhur me të dhe nuk është kurrsesi aq i lirë sa të shkruajë me vërtetësi se si ishte jeta pranë atyre njerëzve, që ndikuan në fatet tona për mbi pesëdhjetë vjet.