Sa nje kafe nga Iva

Bllokimi i kryqëzimeve, kush përfiton nga loja me nervat?!

Bllokimi i kryqëzimeve, kush përfiton nga loja me nervat?!

Nga Iva Tiço/ Kur e pashë nga televizori disa ditë të shkuara, ishte një lajm mbi pasqyrimin e protestës si gjithë të tjerët. Mu duk në njëfarë pike edhe normale, që pas disa ditëve përpara Ministrisë së Arsimit, studentët të gjendur përballë skadencës së ultimatumit ndaj qeverisë të merrnin drejtime të ndryshme dhe të bënin përshkallëzime të ndryshme të protestës së tyre. Madje ndarja e tyre në tresh pak qe: ne mjafton të jemi mbi pesë vetë dhe nuk ndajmë dot mendjen në cilën kafe të ulemi, jo më të jesh me mijëra, jo më të kesh një mision shumë shumë më të madh, hajt të bëhesh në nje mëndje se ku do të shkosh dhe si do të  protestosh. Ndaj dhe lajmet që dolën në formë e screenshot-ve, se partitë politikë po frymëzonin një grup njerëzish që të bllokonin rrugët e të rrisnin pakënaqësitë e gjithë të tjerëve, mu dukën pesë me hiç. Por u desh që të qëlloja sot, për një rrethanë aspak fatlume, fiks në vijën e parë të bllokimit në kryqëzimin e Zogut të Zi, që të më mbushej mendja top: protesta e studentëve nuk ka lidhje fare me këto bllokime. Dhe nëse largqoftë do të kishte, do ishte një dritëshkurtësi e madhe e atyre që e kanë bërë.

Nga rreshti i parë i bllokuar pashë se si një grup me jo më shumë se 15 njerëz me bilbila, një flamur, ndaluan qarkullimin. Grupe të ngjashme bllokuan gjithë hyrje daljet e rreth rrotullimit. Gjithsej katër policë dhe një karroatrec bënin sehir nga larg. Pas meje vargu i makinave erdhi duke u shtuar. Borive tona, studentët u përgjigjeshin me fishkëllima. Herë dhe me të shara. Grupi i tyre u shtua me disa fëmijë 10-12 vjec. Njëri prej tyre me një daulle. Pastaj erdhi “studenti” me megafon. Thirrjes së tij që shoferët të dilnin dhe të solidarizoheshin nuk iu përgjigj asnjë. Zero përshëndetje, zero entuziazëm. Hera herës ndokush shkonte për “negociata” te grupi. Niste u shpjegonte halle njerëzore “do marr vajzën nga kopshti”, “më heq drejtori ditën e punës”, “po më mbaron karburanti i makinës”. Përgjigjet nga protestuesit vinin të varësi të ankesës. “Fik makinën”. “Bëj si të bësh, poshtë Edi Rama”. “Komuniste”, i thanë disa herë një vajze ngjitur me mua, me një makinë të kuqe. Tha disa herë e shkreta që nxitonte, se kishte ditëlindjen e vllait dhe se nuk ishte koministe por ishte me PD-në. “Ik e pirdhu me gjithë vëlla. Ne po rrëzojmë Edi Ramën këtu”. Fëmija 12 vjeç që e tha, ishte i bindur në kërkesën e vet. “Ulni tarifat”, më ulërinte shoku i tij dhjetë vjeçar tek xhami i makinës.

Një grua pas shumë negociatash të pasuksesshme me protestuesit, më erdhi tek xhami dhe mu lut që të shkonim bashkë: “Zëri yt është më i fuqishëm tha, je figurë publike”.

E bukur figurë publike! Kisha fiks një orë që shahesha në rrjet, në faqen time të Facebook sepse kisha guxuar të botoja fotografinë nga rresti i parë. Sigurisht që ata nga shtëpia të quajnë llasticë që rri në makinë. Të japin dhe mend. Dil e protesto. U bëre të shash ti që je në makine? E bëjnë kollaj llogarinë e tjetrit. Në këto kohë kur shumëkush në rrjet ka zbuluar se bëhet shumë popullor dhe merr like duke bërë hashgtage me studentët, mund të kthehesh shumë kollaj në armik, nëse nuk bën si të gjithë. Eshtë e modës të prononcohesh. Të shohësh hallet e tua, të bën të shitur, të blerë, llasticë e kushediseçfarë. Largqoftë të thuash të vërtetën, që ai grumbullim aty tek Zogu i Zi nuk ka të bëjë me protestën, nuk ka të bëjë me frymën studentore, nuk ka të bëjë me solidaritetin midis njerëzve, kushedi se çfarë të bën.

P.S. si “zë më i fuqishëm”, bashkë me disa burra çamë rrethimin duke kaluar mbi trotruar, u hodhëm në korsinë tjetër dhe gjetëm rrugë alternative. Në këtë rast nismëtarja isha unë, “figura publike”, pasi ata kishin frikë se mos ata tre katër policët na merrnin patentën, por nën shembullin tim u bënë më trima. Teksa kaloja në korsinë bosh në krah të majtë me mijëra makina u binin borive në tensionin e punëve të pabëra, fëmijëve që duhen marrë në kopshte a shkolla, një mijë halleve të shtuara dhe me këtë një orë e gjysmë qëndrimi në rrugë më kot. Çështja e studentëve nuk përfitonte aspak nga kjo. Ata që janë të interesuar për prishjen e nervave dhe acarimin e mëtejshëm të njerëzve, po!