Aktualitet

Biznesi ka nevojë për frymëmarrje, të cilën nuk ja garanton populizmi shterpë

ERMAL TELHA/ Deputeti i Partisë Demokratike në Opinion (i djathtë), Florion Mima, deklaron që futja në TVSH e bizneseve me xhirro deri në 2 milion lekë në vit bëhet për të gllabëruar bizneset e vogëla nga bizneset e mëdha që dominojnë tregun.

Kjo në gjykimin tim është të dalësh kundër parimeve të tregut të lirë, që filozofia e djathtë e ka në epiqendër të aksionit të vet.

Bizneset e mëdha, i dashur deputet i djathtë, nuk janë të armikut, por janë sipërmarrje që kontribojnë në buxhetin e shtetit dhe deri më sot kanë kaluar e kalojnë një kalvar shumë të gjatë sikletesh për të vazhduar aktivitetin e tyre në kushtet e pabarazisë së rregullave të lojës.

Favorizimi i deritanishëm i bizneseve informale, me dashje, është bërë në formë lëmoshe për të mbijetuar apo mbajtur ekzistencën me frymë, por asnjëherë nuk ka sjellë vlerë të shtuar në ekonomi për formalizimin e saj apo për garantimin e konkurrencës së ndershme.

Nuk arrij të kuptoj, ç’është kjo urrejtje ndaj sipërmarrjes së suksesshme që ka nisur si e vogël dhe është shndërruar në të madhe nga viti në vit?! E kam fjalën për të gjithë rrjetet e super marketeve, pa dashur të përmend emra, të cilët ofrojnë sot kushte shumë të mira për zhvillimin e aktivitetit blerës të qytetarëve, garanci më të madhe për cilësinë, skadencat, gamën e gjerë të artikujve, si dhe çmime konkurruese për shkak të qarkullimit të madh financiar.

A e di, i dashur deputet, që qytetarët e paguajnë TVSH-në në çdo transaksion që kryejnë, ndërkohë që transaksionet në bizneset informale apo të pashoqëruara me kupon tatimor, nuk e çojnë TVSH-në në arkën e shtetit ku duhet të shkojë, që më pas të na kthehet në të mira dhe shërbime si komunitet?!

Konkurrenca e lirë sjell vlerë të shtuar për qytetarët, i dashur deputet, për qytetarët që të ka rënë për pjesë t’i përfaqësosh në parlament, duke u garantuar çmime më të lira e mallra më cilësorë, sepse ekuilibrin e vendos tregu, jo dajaku!

A e di, i dashur deputet, që biznesin në 27 vite, si qeveria ku ke bërë pjesë, si ajo që po e kundërshton sot, e keni parë si lopë vetëm për ta mjelë dhe s’keni menduar thuajse kurrë për ta kullotur?!

Biznesi, si ai i vogël, ashtu edhe ai i madh, nuk kërkojnë që ju dhe shokët tuaj të bëni detyrën politike, herë nga një llogore e herë nga tjetra në varësi të pozicionit të partisë suaj! Biznesi ka nevojë për frymëmarrje, të cilën nuk ja garanton populizmi shterpë, as lotët e krokodilit që politika nuk i kursen sa herë vjen rasti, por liria dhe garantimi i rregullave të barabarta të lojës, të cilat keni dështuar me sukses për t’i mundësuar deri tani!

Nuk kanë faj sipërmarrësit e suksesshëm që kanë arritur të bëhen të tillë, i dashur deputet, por të paktën mos e vështirësoni rrugën shumë të vështirë që kalojnë cdo ditë, duke e sulmuar si të jetë armiku i klasës në kohën e qoftëlargut! Që nuk doni ta ndihmoni, kjo duket, por të paktën mos i fusni shkopinj nën rrota.

E kanë boll të vështirë përditësinë!

E fundit, gjeje gjetkë armikun e klasës, sepse biznesi, sidomos ai i madhi që zotëria jote e trajton si gllabërues, është ai që mbush arkën e shtetit në mbi 80 % të saj, garanton punësimin e pjesës dërrmuese të forcës aktive të punës, ndër të tjera, siguron edhe rrogën tënde dhe të shokëve të tu, që shpesh nuk e justifikoni me përfaqësimin publik!