Tip Talk

Biseda TIP/ Një rrëfim sa 20 minutat në tren që e çojnë Xhuli Kekon te dashuria e dytë

Biseda TIP/ Një rrëfim sa 20 minutat në tren që e

TIP: Xhuli, ne të njohim nga kënga dhe jo të gjitha gratë kanë një këngë nga dashuria e tyre, disa s’kanë asgjë ndonjëherë...

Xhuli Keko: Nuk mendoj se të gjitha gratë nuk kanë këngë, çdo burrë i shkruan gruas që dashuron poezi në mënyrën e tij. Unë pata fatin të dashuroja dhe dashurohesha nga një poet. Për më shumë që mendoj se poezia është një përjetim që përmbledh shumë emocione. Në poetikën e Dorit gruaja jam unë, por edhe nëna e tij, gratë në përgjithësi. E gjitha kjo që thashë nuk mund të lexohet se unë nuk jam krenare për poezitë që Dori më ka kushtuar dhe për këngën Xhulit, kompozuar dhe kënduar nga Piro Çako, të cilës ti i referohesh, jam krenare, madje shumë! Sa herë jam e mërzitur klikoj në you tube dhe e dëgjoj, shpesh qaj, po prapë ndihmon....

TIP: Sa shumë jeni zënë dhe prapë jeni dashur? A do kishe dashur të bëje disa sherre më pak? Edhe pse më kanë thënë se ju prej dashurisë edhe kur ziheshit e bënit me qejf...

Xhuli Keko: Është e vërtëtë, jemi dashur dhe grindur pa fund, ti mbase ende nuk e beson por ne duhemi dhe grindemi ende nëpër ëndrra, të paktën unë po. A do doja të isha grindur më pak? Kjo nënkupton që isha unë ajo që i filloja zënkat? Ti harron që Dori nuk ishte engjëll. Sigurisht që do të doja të grindeshim më pak, sepse më vjen keq për kohën shpenzuar, megjithatë mendoj se fakti që e dua akoma tregon se koha ka shuar të voglat dhe “ ka harruar” të marrë me vete të mëdhatë.

TIP: Si përballohet vdekja e burrit që do? A ka një forcë a fuqi që ta qetëson jetën?

Xhuli Keko: Jeta ka vërtetuar se humbja e burrit që dashuron përballohet e unë nuk bëj dallim nga gratë e tjera. Nuk e besoj se ka një forcë që të qetëson jetën, sepse jeta ime nuk është qetësuar kurrë, por di që ka një forcë magjike që të shtyn përpara, në rastin tim janë fëmijët.

TIP: Më trego pak për pushimet e verës algjeriane (Babai i Xhulit ishte diplomat në kohën kur ajo ishte studente). Ishit thjesht shok me Dorin derisa vëllai yt të bëri atë “akuzën”: E dimë të gjithë që je e dashura e Teodor Kekos? Aty u fut miza në kokë?

Xhuli Keko: Ende më vjen të qesh. Ne ishim vërtet vetëm shokë në vitin e parë të fakultetit, rrinim gjithnjë bashkë, ndanim dhe diskutonim gjithçka, jo vetëm lidhur me letërsinë por edhe jetët e ndenjat private shpirtërore. Në një diskutim me prindërit, gjatë pushimeve verore në Algjeri, vëllai thotë: Xhuli ka një të dashur, Dori Kekon. Sinqerisht ishte hera e parë që mendova ndryshe për Dorin, ndjeva sa më mungonte aq shumë atë verë larg Shqipërisë....

TIP: Ju jeni rritur në Kinë, më pas keni mundur të shkoni edhe me pushimet në Algjeri kur ishit studente (koha kur u fut dhe miza në kokë për Dorin). Pas Kinës babai ishte diplomat në Algjeri. Si ishte jeta jote? P.sh. kishit rroba më të mira, e sigurt...

Xhuli Keko: Nëse do më kishe njohur në atë periudhë, do ta kuptoje pse i dua kaq shumë miqtë e mi. Në Kinë isha me prindërit, por më mungonte motra e madhe dhe shoqet. Gjatë kohës që prindërit ishin në ambasadë në Algjeri dhe unë shkoja me pushime në Algjer, paçka se për mua dhe vëllanë kujdesej gjyshja dhe motra, ndërkohë e martuar, prindërit më kanë munguar aq shumë në momente shumë të rëndësishme në jetë.

Sa për rrobat, gjithnjë kam pasur shumë dëshirë të vishesha bukur, besoj që i kam ngjarë babit. Më kujtohet që në letrat që u dërgoja prindërve - në atë kohë nuk ekzistonin mundësitë që ofron sot elektronika - në gjysmën përshkruaja rezutatet e shkollës, me të cilat sigurisht mburresha, ndërsa në gjysmën e dytë kishte kërkesa pafund për të më dërguar veshjet që preferoja.

TIP: I kthehemi prapë dashurisë me Dorin. Nga poezitë e tij shfaqeni si xheloze pak? Mendon vërtet se të ka tradhtuar?

Xhuli Keko: Dhe ta mohoj që kam qenë xheloze, asnjë nuk do ta besojë, ende jam! Nuk e di nëse më ka tradhtuar vërtet, asnjëherë nuk kam dashur t’u shkoj gjërave deri në fund, për sa kohë e dija sa e doja dhe se boshti ku ai rrotullohej ishim unë dhe fëmijët. Megjithëse xhelozinë “nuk kam përtuar” ta shpreh, vetes i kam bërë terapi se burrat që flasin e shkruajnë aq shumë për dashurinë dhe seksin, nuk është se tradhtojnë “ aq shumë” në jetën reale.

TIP: Si është tamam ajo historia e luleve të freskëta që gjete për të 40-tat dhe u bëre kurioze, në fakt xheloze? Dhe të mendosh, me një njeri që as nuk ke më mundësi të sqarohesh...

Xhuli Keko: Është e bukur! Edhe vetë qesh kur e kujtoj. Shkuam në varreza për të përkujtuar Dorin dhe gjejmë aty një tufë shumë të bukur lulesh , të cilat isha e sigurt se nuk i kishte çuar asnjë nga ne. Zonja te dera e varrezave na “raportoi” se një femër kishte ardhur dhe pyetur se ku ishte varri i Dorit e sigurisht unë e pyes nëse ishte ajo që kishte sjellë lulet!? Sikur mikja e mirë e familjes sonë, të mos kishte ardhur në shtëpi dhe rastësisht të tregonte se ishte ajo që kishte çuar lulet, në pamundësi për të qenë prezent ditën e varrimit, i shkreti Dori ç’do kishte hequr edhe atje ku është.

TIP: Po kur e le tek dera të priste? Pse nuk e hape derën, Xhuli?

Xhuli Keko: Tani qeshim kur e kujtojmë me fëmijët, po ajo ditë ishte «dramë» në familjen tonë. E pashë nga ballkoni, ku prisja si zakonisht të kthehej Dori, i cili po vinte shumë i gëzuar me një qen pa zot, që kishte gjetur diku në oborr. Kyça derën dhe iu luta prapa saj që ta linte qenin aty ku e gjeti e pastaj të hynte në shtëpi. Sigurisht që nuk pranonte as ta çonte ku e gjeti e as të hynte në shtëpi pa të. Fëmijët që më luteshin të hapja derën dhe unë stoike nuk lëvizja nga istikami. Në përfundim, pas negociatave që zgjatën gjysmë ore, qeni u vendos në një kuti kartoni në tarracën e pallatit sipër nesh, ndërsa Dori hyri më në fund në shtëpinë e tij.

TIP: Keni pasur një vjehrrë pak ndryshe, Xhanfize Keko ishte një artiste dhe besoj e ke pasur më të lehtë se nuset e tjera të flisje me të, apo jo? Ndoshta ia ke shfryrë edhe asaj ndonjëherë dufin e ndonjë dite nga ato kur thua “boll, do ndahem...”.

Xhuli Keko: Asnjëherë nuk kam menduar të ndahem, asnjëherë! Por qëlloi një ditë që isha shumë e mërzitur dhe i thashë në nerva e sipër: “Teta Xhano po vazhdoi Dori të më mërzisë kështu, do kërkoj divorc”. Ajo, me qetësinë që e karakterizonte, më tha: “Mendoj se nuk keni aq shumë probleme sa për t’u ndarë. Ti nuk e di se çfarë janë problemet e vërteta, por edhe nëse ndodh, unë do të jem gjithnjë në krahun tënd”. Nuk ka koment për Teta Xhanon, ishte e rrallë. Besomë, kur Dori ndërroi jetë, qaja se më vinte shumë keq fillimisht për fëmijët që ishin aq të vegjël, pastaj për Teta Xhanon e në fund për veten time.

TIP: A është e vërtetë aksioma “fëmijët të mbajnë të lidhur”, pra dashuria ia del t’u mbijetojë rrufeve me fëmijët më mirë. Janë fëmijët garancia e madhe?

Xhuli Keko: Mendoj se një dashuri e mban lidhur ndjenja, kurrë nuk e kam menduar se janë fëmijët, veçanërisht në epokën që jetojmë. Kam miq të mire, që megjithëse nuk kanë fëmijë, e kanë shumë të bukur jetën bashkëshortore. Martini, e më pas Elio, erdhën pasi ne ndenjëm bashkë pesë vjet, duke llogaritur edhe vitin e parë kur ishim miq të pandarë dhe menduam se ishte momenti i duhur për të krijuar familje. Ata sigurisht kanë sjellë veçse gëzim në jetën tonë, por jo arsyeja pse dashuria jonë u mbijetoi kohërave.

TIP: Nuk e dua këtë pyetje, por dua ta bëj: po të mos vdiste Dori, a do ishit sot bashkë?

Xhuli Keko: Sigurisht që po!!!

TIP: Por keni 16 vite pa të...! Jeni ende një grua e re, ishit 42 kur ai iku. A keni provuar ta gjeni veten tek një burrë tjetër? A e keni një shok?

Xhuli keko: Nuk e kam provuar. Tani që femijët u rritën dhe kanë jetët e tyre, sigurisht që ndihem më vetëm por nuk është e thjeshtë të gjesh një njëri që të ketë karakteristikat më të mira të Dorit dhe të babit, të dy modeleve të burrit për mua, besoj plotësisht që ky njeri nuk ekziston.

TIP: Më trego për Teodor junior. Jeni bërë gjyshe së fundmi?

Xhuli Keko: Të të them një secret? Kam rënë në dashuri me Teon e vogël. Dikur mendoja se të ishe gjyshe ishte kënaqësi e pamatë por edhe “trumpetë” e pleqërisë. Sigurisht që nuk është fare kështu, fjala “nëna” në shqip ose “oma” në hollandisht më duket më e bukura në botë.

TIP: Kujt i ngjan nipi?

Xhuli Keko: I ngjan mamit të vet.

TIP: Martini dhe Elio, i ngjajnë ata të atit?

Xhuli Keko: Secili në llojin e tij. Martini pak më shumë, në mënyrën e jetesës: është shumë i dashur, i rrethuar pafundësisht me miq, ndonjëherë edhe i vështirë, por unë i thërras shpesh “zemërfloriri” im. Elio është i qetë, si Dori, dhe ka të njëjtin humor me të. E di, nuk më lenë të më mungojë Dori plotësisht, e gjej dhe takoj shpesh sa te njëri te tjetri.

TIP: Si e kaloni kohën në Holandë? A nuk ju mungon Tirana me kaq shumë miq, vëmëndje, kafe, zhurmë?

Xhuli Keko: Është e vërtetë që Tirana dhe miqtë më mungojnë shumë, me të gjitha çfarë ti përmende më sipër. Më mungojnë aq shumë sa nuk e merr me mend, por thonë që atje ku është zemra është shtëpia. Fëmijët e mi, tashmë tre, janë këtu. Sa për kohën, besomë që nuk tepron fare. Përveç punës, gatimit, leximit, muzikës, etj., unë eci shumë. Pastaj, tani mezi pres fundjavën për të ndenjur sadopak me Teon.

TIP: Më duket se jeni ende një aktiviste e facebook. Kaloni kohë aty dhe zini miqësi, ndani biseda dhe letra. Vërtet besoni se ai rrjet është më për njerëzit si puna juaj ? Ka kaq shumë dhunë, bullizëm, sulme...

Xhuli Keko: Nuk mund të them se kaloj shumë kohë në fb, e konsideroj një mjet për të komunikuar me miqtë e mi kudo që janë, dhe në mënyrë të veçantë me lexuesit e Dorit në faqen e tij që unë menaxhoj. Pastaj unë nuk kam shumë miqësi me gjumin dhe besomë, fb është një mik i mirë i orëve të vona. Për mua këto janë arsyet që e përdor dhe nuk e shoh aspak si network që më prish terezinë, sinqerisht.

TIP: A mund të jetë dikush prapë një ditë i lumtur pas gjithë furtunave, e sidomos kur humbet dashurinë e jetës?

Xhuli Keko: E lumtur... të jem e sinqertë, mendoj se lumturia është fati i budallenjve, veç ata dinë të jenë të tillë. Për një gjë jam e sigurt, edhe 10 herë po të lindja prapë më Dorin do të doja të martohesha, prapë Martinin dhe Elion do të doja të sillja në jetë!

TIP: Ku do doje të jetoje? Po të vdisje?

Xhuli Keko: Sigurisht do të doja të jetoja në vendin tim, këtë e them sinqerisht dhe të gjithë që më njohin e dinë. Ku të vdisja… nuk ka fare rëndësi... çështja është se çuditërisht unë e di si do vdes, do të ta them ndonjëherë….

TIP: Pse jo tani?

Xhuli Keko: Sepse do më marrin për të çmendur dhe sepse nuk dua të mërziten fëmijët kur ta lexojnë intervistën.

TIP: Çfarë do bësh me letrat e dashurisë? Pse vendose t’i publikosh?

Gjithnjë kam pasur dëshirë të gjej një mënyrë komunikimi me Dorin dhe me sa duket kjo ishte gjetja ime. E nisa si me shaka me letrën e parë (besimi në vetvete 0), më pas e vendosa në faqen e Dorit në facebook. Reagimet ishin të mrekulleshme, gazetarja Ani Jaupaj e botoi te Panorama, disa gazeta të tjera e botuan. Kjo më bindi që të vazhdoj. Deri tani janë pesë letra, plus dhe letrat që Dori më ka shkruar në momente të caktuara të jetës, janë edhe poezitë për mua, edhe letra amanet që i ka lënë Elios. A nuk mendon se mund të bëhet një libër i bukur kushtuar Teos së vogël, për të njohur gjyshi Dorin të cilin nuk arriti ta takonte fizikisht?!

TIP: Xhuli, faleminderit që gjete kohë për një kafe me TIP, edhe pse pas dy orësh duhet të jesh në aeroport për të ikur drejt Holandës.

Bisedoi Mira Kazhani

Tiranapost.al

Biseda Tip është një prodhim autentik i tiranpost.al dhe gazetares Mira Kazhani, dhe nuk lejohet kopjimi dhe postimi i plotë i intervistës nga asnjë portal tjetër.

http://www.tiranapost.al/pyeta-xhuli-kekon-per-dashurine/