Aktualitet

Biseda AUDIO/ Dhëndrri i Berishës përplaset me Bashën: E ke kthyer PD si parti Kingmaker. Prano kritikat se kanë të drejtë

Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, veç përplasjes mes Jemin Gjanës dhe Valbona Mezinit, që për pak nuk kaloi në konflikt fizik, një tjetër debat i nxehtë është zhvilluar mes dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi dhe kryetarit Lulzim Basha.

Ka qenë pikërisht Malltezi, i cili në mbledhjen e një dite më parë, i thotë në sy Bashës të gjitha pakënaqësitë, gjatë analizës së fushatës zgjedhore dhe arsyeve që çuan në humbjen e PD-së më 25 Qershor.

Në bisedën audio, të publikuar nga Syri.net, Malltezi dëgjohet teksa i kërkon Bashës që të zgjerojë frontin e përballjes me qeverinë, qoftë edhe duke afruar pranë opozitës figura të majta siç është Ben Blushi.

Dhëndrri i Berishës, siç dëgjohet edhe në audio thotë se demokratët janë të demotivuar dhe se partia tashmë është kthyer në një parti “kingmaker”.

Malltezi i kërkon Bashës të pranojë kritikat që i vijnë, pasi siç nënvizon ai “nuk kanë asapk qëllim të dëmtojnë PD-në”

Pjesë nga debati i Jamarbër Malltezit:

“Duhej të ngrinim zërin dhe denonconim vjedhjen e votës. Demokratet janë të demotivuar. Nuk dokumentuam asgjë. Ne duhet të zgjerojmë frontin e përballjes me Edi Ramën. Po marr shembull Ben Blushin. Është i majtë ekstrem. Por nuk është bandit.

PD-ja duhet të jetë parti e njerëzve të lirë. Dhe jo parti servilësh apo dredharakësh. Natyrisht na duhet kryetar që të dilte nga një kristal. Jo të gjithë që kanë një kritikë ndaj jush, ua duan të keqen.

Prej muajsh, kam kërkuar që të nxirren 10 skandalet e qeverisë në muaj. Ka shumë skandale kjo qeveri. Por 10 këtë muaj, 10 muajin tjetër. Dhe nesër PS nuk ia blen dot elektoratit me 5 mijë lekë por me 5 milionë lekë.

E dyta, mesazhi për fushatë nuk ishte ai i duhuri. Ne duhet të kishim mbushur billborderat me skandalet e abuzimit me qeverinë. Nëse ne ia përkthejmë qytetarit tek xhepi i tij, atëherë ai e kupton atë.

Për fat të keq ne kishim një parti të madhe, ndërsa tani po kthehet në një parti “kingmaker”. Dhe kjo është shumë e rëndë. Fushatën e kishit shumë të personalizuar.

Mos qëndro si kristal me idenë se ata që të kritikojnë dhe këshillojnë nuk ta duan të mirën. Këshillat dhe kritikat dashamirëse duhet t’i pranosh dhe jo të krijohet kjo klimë. Duhet të jemi më bashkëpunues. Duhet të jemi më të angazhuar në përballjen me qeverinë, në krah të qyetarëve.” E.C/ Copyright Tiranapost.al