"Bindjes Demokratike" i rrëzohet kandidatura e Beratit, reagon Patozi: Do t'i shkojmë deri në fund
Astrit Patozi ka reaguar pas vendimeve të KQZ, duke hedhur akuza ndaj anëtarëve të kësaj të fundit.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", ai shprehet se rrëzimi i kandidaturës në Berat, është absurd dhe i paracaktuar.
“Bindja Demokratike do t’i shkojë betejës ligjore deri në fund sa i përket kandidatit Pavllo Shkarpa”, shkruan Patozi ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dominuar nga përfaqësuesit e shumicës rrëzoi sot në mënyrë arbitrare kandidatin e BINDJES DEMOKRATIKE në Berat, zotin Pavllo Shkarpa, duke i hapur rrugën zgjedhjeve me një kandidat të vetëm në atë bashki. KQZ, e cila votoi si rrallë herë me unanimitet ishte sot shumë e vendosur për ta ndëshkuar kandidatin tonë, ndonëse në kundërshtim flagrant me kushtetutën e vendit.
Argumenti i përdorur prej anëtarëve socialistë të KQZ, sipas të cilit zoti Shkarpa është regjistruar me vonesë në gjendjen civile të Beratit, nuk gjendet asgjëkundi në Kodin Zgjedhor apo në kushtetutën e vendit.
Vendimi absurd, që ngjante dukshëm si i paracaktuar, e çon në dy numrin e kandidatëve të BINDJES DEMOKRATIKE të përjashtuar nga gara prej qeverisë.
Disa ditë më parë kandidati ynë për Skraparin, zoti Devi Hebibasi, u tërhoq fare papritur nga kandidimi, pasi u ndje i kërcënuar nga përfaqësuesit e “Rilindjes” atje. Vlen të theksohet se të dy kandidatët tanë të rrëzuar nga njerëzit e qeverisë i përkasin të njëjtit qark.
Vendimi i sotëm pason dorëheqjen e dy kandidatëve tanë në Lezhë e Kavajë, të cilët e morën vendimin të ndikuar dukshëm nga presioni i Partisë Demokratike. Dhe tashmë mund të flitet për një barazim të plotë mes “Rilindjes” dhe “Republikës së Re” në raport me gjuetinë ndaj kandidatëve tanë.
E ndodhur në këto kushte, BINDJA DEMOKRATIKE deklaron se është e vendosur t’i shkojë deri në fund betejës së saj ligjore për të garuar me kandidatin e saj në Berat. Ndërkohë, ajo paralajmëron qeverinë që të heqë dorë nga këto goditje të ulëta ndaj njerëzve të saj, sidomos në qarkun e Beratit.
Nuk mund të jetë kurrësesi rastësi që kandidatët tanë po sulmohen njëkohësisht nga të dy partitë e vjetra, të cilat janë përgjegjëse për krizën e sotme që kalon Shqipëria.
BINDJA DEMOKRATIKE fton partnerët tanë, të cilët janë të interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, që të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre që procesi të mos cënohet më tej, nga brutaliteti i qeverisë dhe i atyre që kërcënojnë të prishin zgjedhjet. /Tiranapost.al/