• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Kryesore Librat e Arlindës Të gjitha

    Beti Njuma më kujtoi për këtë libër, por lexojeni nëse keni kohë


    Sot është dita kur kujtohet Holokausti dhe botuesja jonë Arlinda Dudaj u kujtua për një libër nga ato që duhet t’i lexosh në ditët e ftohta të janarit dhe të mendosh përtej hundës tënde për jetën…

    Romani i një të pafati , ose romani i njeriut që pa edhe dritë në Aushvic

    Arlinda Dudaj/ Teksa Beti Njuma më telefonoi për të më pyetur rreth një romani që pata përkthyer, kur isha, të themi një kalama, një roman për një kalama, por që kish lindur hebre dhe në një kohë kur lufta e dytë kish trokitur në prag, u kujtova menjëherë. Asaj i duhej për një dokumentar që po përgatiste për ditën e memories ose Shoah, e mua befas m’u ndërmend i gjithë ai një vit e gjysmë torturimi nëpër faqet e një libri që sa i thjeshtë në dukje, aq edhe pështjellues e i ngarkuar me tmerret e një epoke që urojmë s’do të kthehet më kurrë.

    E si kundërshti në fakt, ti e pikas qysh në faqet e para se nuk është aspak qëllimi i shkrimtarit të të tmerrojë me historitë e Holokaustit, me kampet e Buhenvaldit dhe Aushvicit. Historia nis ngadalë, thuajse si çdo histori romani i asaj kohe, që përpiqet të të përshkruajë se ç’po ndodh me botën në këto çaste. Lufta qëpo troket te porta, njëgjueti shtrigash qëka filluar ndaj hebrenjve, e këtë e percepton thuajse përciptas Georgi, heroi i romanit tonë vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Në të vërtetë Georgi është vetë Imre Kertesz dhe ky është romani i jetës së tij, romani i një të pafati. Ai pra përjeton thuajse përciptas përndjekjen e përditshme, veçimin e deri momentin në të cilin përmasat e së keqes arrijnë të përmbysin gjithë jetën e tij. Niset me një tren pa ditur se ku, dhe fëmija Georgi zbulon çast pas çasti, si me kuriozitetin e një fëmije që po zbulon lojrat, se janë duke përfunduar në një kamp që nuk është sidokudo, por është kampi i famshëm i Aushvicit. E pra nuk pati qenë i famshëm për të, shumë pak e dinin ekzistencën e tij, të mëdhenjtë mbase, por jo ai, vetëm një fëmijë. Këtu qëndron bukuria dhe madhështia e këtij libri, pikërisht ky zbulim i dalëngadaltë, parë me sytë e një fëmije, i cili edhe në mes të mizorisë që nuk mund t’i shpëtojë vështrimit, pikas diçka të bukur. Nuk di pse shpesh më duket se shoh paralele midis këtij libri dhe “La vita e’ bella” të Roberto Benigni. Mbase sepse brenda faqeve të tij nuk përjeton urrejtje, aty ka vetëm rrëfim, rrëfim që gjithsesi të trazon stomakun, sepse ngjarjet janë aty. Të vjen për të qarë, buzëqesh po dhe përjeton guxim e forcë tek lexon historinë e rabinit që këndon kadish për të vdekurin nga torturat.

     

    Ky libër është shumëdimensional, e kam përkthyer në 2004, kur sapo i kisha hyrë kësaj aventure që quhet botim, po ndërkohë më duket se po eksperimentoja dhe me pasionin e madh të përkthimit, dhe mendoj se ështëgjëja më e mirë që kam bërë për veten time. E sa me fat kam qenë që kam njohur një letërsi kaq të madhe sa kjo. Çdo rresht më ka tronditur e po ashtu ma ka pasuruar dijen për një kohë që po të mos ekzistonte letërsia e kinematografia, s’do ta kishim besuar që ka ekzistuar. E sa shumë na shërbejnë për të mos harruar e për të mos përsëritur fajet e së shkuarës. Edhe pse gjenì si Kertesz, Spielberg, Hilsenrath e plot të tjerë kanë mundur të falin e të ngrihen mbi urrejtjen. Siç e thotë vetë autori në fund: “Edhe atje midis oxhaqeve, në pushimet mes torturave, se ç’kishte diçka që i përngjante fatit të mirë.” Copyright/ tiranapost.al