Aktualitet

Bëri regjistrime fiktive për vota, procedohet Elez Gjoza i LSI

Drejtoria e Policisë së Tiranës ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për administratorin e njësisë bashkiake numër 2 në kryeqytet, Elez Gjoza, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ky i fundit dyshohet se nga viti 2013 e në vazhdim ka regjistruar në mënyrë fiktive rreth 60-70 shtetas me të njëjtin kod banimi, në një banesë në pronësinë e tij.

Policia dyshon se transferimi i këtyre personave është bërë vetëm për qëllim votash, për të ndikuar në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit. Madje mësohet se këtyre personave Gjoza u ka ofruar vende pune në këmbim të votave.

Specialistët po punojnë për identifikimin e këtyre shtetasve, ndërsa Gjoza akuzohet për veprat penale "Detyrim për pjesëmarrje në veprimtari politike", "Korrupsioni pasiv në zgjedhje" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".

Përveç detyrës së administratorit të njësisë 2 në kryeqytet, Elez Gjoza prej vitit 2012 është edhe President i Federatës së Peshëngritjes në Shqipëri. Jo pak herë ai është përfshirë në konflikte me drejtues e sportistë, ku ndër më të njohurat për publikun është denoncimi i peshëngritëses Shqiponja Brahja se Gjoza e kishte dhunuar fizikisht në zyrë dhe replikat e ashpra me kampionin Erkand Qerimaj.

Reagimi i Elez Gjozës

Elez Gjoza ka reaguar pas lajmit duke thënë se ky është një sulm politik që i bëhet prej katër vitesh. Ai ka thënë se ka strehuar kosovarë gjatë luftës dhe ashtu strehon njerëz edhe sot. I pyetur për 70 personat që janë regjistruar në kodin e banesës së tij, tha se “Kanë qenë dhe jemi në kohën e demokracisë dhe njerëzit regjistrohen ku të duan dhe si të duan. Ka ndryshuar ligji për gjendjen civile, madje tani jo me kontratë përballë noterit, mjafton të paraqitesh në gjendje civile dhe thua unë jetoj këtu.”

Gjoza gjithashtu tha se nuk ka futur njeri në punë, por ka ndihmuar t’u gjejë punë si “kamarierë, banakierë por nuk kam shkelur asnjë ligj sepse nuk kam futur kënd në punë shteti. Nuk njihet firma ime as për heqje dhe as për marrje ne punë, sidomos me ndarjen e re territoriale ku si administratorë nuk kemi më kompetenca.”/E.U, Tiranapost.al