Aktualitet

BE: Të respektohet opinioni i Venecias për Vettingun

BE: Të respektohet opinioni i Venecias për Vettingun

Ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe delegacioni i BE-së mirëpritën përmbledhjen “Amicus Curiae” të Komisionit të Venecias lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit të Vetting-ut dhe përputhshmërinë e tij me konventat ndërkombëtare.

“Ne presim që angazhimi i të gjitha palëve të interesuara ndaj rolit qendror të Komisionit të Venecias të vazhdojë dhe që opinioni i tij të merret në konsideratë në mënyrën e duhur”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Më tej në deklaratë theksohet se qytetarët shqiptarë kërkojnë një proces gjyqësor të pavarur, të paanshëm, profesional dhe efikas.

“Ne nxisim të gjitha forcat politike, të gjitha institucionet shtetërore përkatëse dhe të gjitha organet gjyqësore në Shqipëri që të nisin pa vonesa të mëtejshme zbatimin e reformës në drejtësi. Progresi në këtë fushë është thelbësor në mënyrë që procesi i anëtarësimit në BE të ecë përpara”, përfundon deklarata e BE-së.