Aktualitet

Bashkia hap dyert për të rinjtë

Ata që mbarojnë shkollën shpesh e kanë të vështirë të gjejnë një vend punë. Një hapësirë tani e ka krijuar Bashkia e Tiranës, ku çdo i ri mund të bëjë praktikën e duhur, që do të mundësojë një punësim të sigurt nesër.

Ishte kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, ai që prezantoi sot nisjen e programit të punësimit që do të mbështesë një grup prej 40 të rinjsh dhe të rejash për të bërë 6 muaj praktikë pranë sipërmarrjeve private të paguara nga bashkia.

“Gjëja e parë për të cilën një kompani të pyet kur ti kërkon punë është: a ke eksperiencë pune. Por, të rinjtë që sapo kanë mbaruar shkollën, nuk e kanë përgjigjen për këtë sepse duhet të fillojnë diku për të marrë eksperiencë. Sot në fakt po adresojmë pikërisht këtë: pra, duam t’i përgjigjemi kësaj pyetje duke filluar me 40 të rinjtë e parë. Nga nesër, jemi të hapur për aplikime ku të rinjtë mund të paraqesin një CV në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe fushën ku do të doje të punoje”, tha Veliaj.

Në bazë të këtij projekti intershipi, Bashkia e Tiranës për 3-6 muajt e parë do paguajë pranë biznesit ku edhe të rinjtë do të kryejnë praktikën, pagën minimale prej 240 mijë lekë, duke i krijuar mundësi praktikantit që të marrë përvojën e duhur për të vazhduar më pas punësimin normal.

“Kemi caktuar një buxhet nga Bashkia e Tiranës për të paguar rrogat për 6 muaj për 40 të rinjtë e parë sipas fushave ku ata duan të punësohen”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se të favorizuar për të përfituar nga kjo mundësi do të jenë të rinjtë që kanë mbaruar një shkollë apo kanë një zanat në fushat më të preferuara të tregut të punës, si inxhinieri, arkitekturë etj.