Aktualitet

Bashkia e Tiranës merr çmim e parë për transparencën. Veliaj: Kur fillova punë na vlerësuan me notën 4

Bashkia e Tiranës vlerësohet me notën 9.9 duke marrë kështu edhe çmimin e parë për transparencën dhe respektimin e së drejtës për informim.

Kjo do të thotë se Bashkia e kryeqytetit është vlerësuar si një nga njësitë vendore që ka shënuar rritjen më dinamike nga 2016 në 2017

Në ceremoninë e prezantimit, organizuar nga INFOCIP dhe The Olof Palme Center e Qeveria Suedeze, Kryebashkiaku Veliaj tregoi se kur mori detyrën, pask ditë më pas Bashkia e Tiranës mori notën 4.

Ndërsa sot vlerësimi është krejt tjetër. Kjo për kryebashkiakun ka ardhur falë punës së bërë në këto dy vite. Megjithatë nga ana tjetër, ai shtoi se ka ende shumë punë për të bërë.

“Kur erdha vitin e parë thanë, kryetar suksese, more notën 4 për vlerësimin. Unë sa kisha ardhur në Bashkinë e Tiranës, sigurisht viti ynë i parë, s’punonte faqja e internetit jo më që të ruhej një protokoll për pyetje-përgjigjet, jo më që të mbarohej ndonjë punë, jo më që të ëndërronim që të hapnim një portal opendata që është përtej këtyre 5 karakteristikave që janë vlerësuar, apo një aplikacion si “Tirana Ime” që e ka çuar në një nivel krejt tjetër mënyrën e komunikimit dhe të zgjidhjes së problemit. Ne mund ta kishim harxhuar gjithë këtë energji duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit ose siç bëmë që e shpenzuam këtë energji ku bashkia më skandaloze nga nota 4 ,mori notën 9.9. Duhet të marrim ende 10 por ndoshta kjo do të jetë sfidë për vitin tjetër”, tha Veliaj.

Në të njëjtën kohë, Veliaj nënvizoi rëndësinë e komunikimit me qytetarët dhe të qenurit pranë tyre në çdo shqetësim. Kështu vetëm për 6 muajt e fundit, ka pasur mbi 55 mijë kontakte të drejtpërdrejta nga qyetarët në numrin e telefonit të vënë në dispozicion.

“ Vetëm në numrin tonë 0800 0888, që nuk është një nga treguesit që maten, por është një tjetër instrument, kemi vetëm për këtë 6 mujor 4700 ato që ne i quajmë raste. Vetëm nga posta 1663, vetëm nga uebi kemi 50 mijë në javë vizitorë unikë”, tha ai. E.C/ Copyright TiranaPost.al