Aktualitet My Tirana Te gjitha

Bashkia bashkëpunim me ambasadat për shtimin e këndeve të lojërave në Tiranë


Pas nismës së suksesshme “Adopto një kopsht”, radhën e kanë këndet e lojërave. Bashkia e Tiranës ka nisur një bashkëpunim me ambasadat e huaja në Tiranë, të cilat do të kontribuojnë në ndërtimin e këndeve të lojërave në kryeqytet.

Ambasada çeke është e para e cila iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës, duke dhuruar module të ndryshme lojërash për këndin e fëmijëve në sheshin “Bajram Curri”, Njësia 7.

Teksa inspektoi fillimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se ky kënd lojërash shënon fillimin e bashkëpunimit me ambasadat për të çuar përpara projekte të ngjashme në kryeqytet. “Më vjen mirë që ambasada e parë që i bashkohet projektit tonë për këndet e lodrave është ambasada çeke. Praga nuk u ndërtua në një ditë, Praga u ndërtua ndër dhjetëra e qindra vite, por çdo ditë është bërë nga një punë konkrete. Kështu që, edhe ambicia jonë është që të punojmë çdo ditë për ta bërë Tiranën më të mirë dhe të sigurohemi që në finale të kemi një qytet kryesisht të mirë për fëmijët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku garantoi se edhe në gjysmën e dytë të mandatit, Bashkia e Tiranës do të vijojë punën për ndërtimin e hapësirave sportive dhe çlodhëse për fëmijët. “Ky është këndi ynë i 21 në dy vjet, por do të vazhdojmë edhe për dy vitet e tjera që na kanë mbetur, që të mos mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për gjeneratën e ardhshme. Fëmijët që rriten me një fëmijëri që ia vlen të mbahet mend, me aktivitet fizik, me jetë të shëndetshme, sigurisht bëhen qytetarë shumë herë më të kulturuar dhe shumë herë më të civilizuar nesër për Tiranën”, theksoi ai.

Ai u shpreh optimist se ky bashkëpunim me ambasadën çeke për ndërtimin e këndeve të lojërave, do të ndiqet edhe nga përfaqësitë e tjera të akredituara në vendin tonë. “Mezi pres që kur të kthehemi pas një muaji, të gjejmë këndin e 21 të përfunduar dhe kjo dallëndyshja e parë e ambasadës çeke të pasohet edhe nga të tjerë. Sigurisht, ky është një investim modest, por sado modest të jetë, është diçka për të cilën u jemi shumë mirënjohës dhe shpresoj që të jetë shembull edhe për të tjerët”, u shpreh Veliaj.

Ambasadori i Republikës Çeke, Jaroslav Ludva,  e cilësoi këtë bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës si shumë të rëndësishëm për brezat e rinj. “Kjo ditë është një ditë e bukur për të dy palët, Bashkinë, qytetin dhe Ambasadën Çeke. Ne identifikuam këtë bashkëpunim shumë të mirë me bashkinë, që konsiston në këtë shesh lojërash që nxjerr në pah të ardhmen e brezave dhe të ardhmen e qytetit të Tiranës. Jemi shumë të lumtur që po bashkëpunojmë në këtë projekt. Të shpresojmë që edhe ambasada të tjera të na bashkohen në këto projekte”, tha diplomati çek./Tiranapost.al

Veliaj inspekton kendin e 21 te lojerave 4

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *