• Shqip
  • English
  • E hënë, 23 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kronikë e zezë Të gjitha

    Bashkëshortet që u mbytën dhe u masakruan nga burrat në 2019-n, bilanci i frikshëm


    Plagosja me bishtin e sëpatës së nënë e bijë mbrëmjen sotme nga një i afërm i tyre, riktheu sërish në vëmendje një plagë të shoqërisë shqiptare atë të krimit në familje. Viti 2019 ka një bilanc të paprecedentë përsa i përket krimit në familje.

    Nga fillimi i këtij viti deri më tani, nga krimi në familje janë regjistruar plot 15 viktima. Në disa raste ngjarjet kanë qenë tragjike, ku kanë përfunduar dhe me dy apo tre viktima. Shumica e viktimave janë gra, të cilat janë masakruar nga bashkëshortët e tyre. Motivi i krimit ka qenë gjithmonë i njëjtë, ku portalet dhe gazetat kanë pasur të njëjtin titull “MASAKRON GRUAN PËR SHKAQE XHELOZIE”.

    Viti 2019 filloi tragjikisht për një familje nga Ballshi, ku burri ekzekutoi në mënyrë makabre bashkëshorten dhe kunatën e tij, pas një sherri që kishin pasur në familje. Gazment Musta, 34 vjeç, qëlloi plot 10 herë me thikë Gentiana Mustën, 31 vjeçe dhe masakroi duke e goditur plot 16 herë me thikë kunatën e tij Melisa Çaushajn, pasi kjo e fundit tentoi t’i vinte në ndihmë motrës së saj.

    Por dy javë më pas krimi në familje do të trondiste sërish vendin, më konkretisht mëngjesin e 14 janarit kryeqyteti do të zgjohej i përgjakur nga një vrasje e trefishtë, ku dhëndri do të vriste vjehrrin, vjehrrën dhe më pas veten. Viktima të kësaj ngjarje të rëndë mbetën Bujar Mata, 63 vjeç, Xhevaire Mata, 52 vjeçe, dhe vetë autori Majlind Lila, 52 vjeç. Autori prej disa vitesh bashkëjetonte me Nevilën, vajzën e çiftit të ekzekutuar nga ai. Nga ajo marrëdhënie, ata kanë edhe një vajzë të mitur.

    Ndërkohë, mesditën e 6 shkurtit radhën për t’u tronditur e kishte qyteti bregdetar i Vlorës, ku burri do të mbyste me duar gruan e tij 45-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, brenda banesës së tyre pas një konflikti që kishin për shkaqe xhelozie.

    6 ditë më pas në metropolin shqiptar krimi në familje do të godiste sërish. Alket Arapaj, punonjës në Gardën e Republikës, do të qëllonte për vdekje me armën e shërbimit gruan e tij, 36-vjeçaren, Ervilma Seferajn.

    Në fillim të marsit e kishte radhën Korça, ku djali i dehur do të mbyste nënën e tij 85 vjeçare. Ndërsa më 23 mars në Gramsh, burri do të mbyste gruan në shtrat, krim ky që edhe mund të parandalohej nga ndërhyrja e autoriteteve, pasi autori kurohej sepse vuante nga probleme mendore.

    Më 25 maj krimi në familje do të trondiste sërish Vlorën, ku Lavdosh Sulo do t’i merrte jetën barbarisht bashkëshortes së tij Laureta Sulo, ku pasi ta godiste disa herë me levë në kokë ai do t’i priste me thikë fytin.

    Ndërsa në javën e parë të shtatorit, dy krime në familje tronditën vendin. Më 2 shtator Arjan Shahaj vrau me sqepar babanë e tij pasi i kërkoi të hipte në një lis e të priste dushk.

    Ndërsa mbrëmjen e së premtes radhën për një tjetër rast të krimit në familje e kishte qyteza e Librazhdit, ku burri masakroi gruan dhe më pas u hodh nga kati i 7 i pallatit ku banonte./ Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690