Sa nje kafe nga Iva

Bashkëjetesa, rregulla përdorimi

Përpara një martese a bashkëjetese, ka disa gjëra që duhet t’i dish, mirëpo që askush nuk t’i thotë... Apo më mirë akoma, edhe nëse t’i thonë, ti nuk i dëgjon fare, sepse pikërisht në atë moment mund të jesh menduar, se si do kthehesh në mbrëmje në një shtëpi të ngrohtë, ku inoksi i kuzhinës shkëlqen, disa abazhurë lëshojnë një dritë të ëmbël, duke e lënë dhomën e ndenjjes as të ndriçuar, as në errësirë, një aromë gatimi të ndjell ndërsa në sfond dëgjohet një muzikë klasike (e do s’e do muzikën klasike, kështu duhet dhe pikë!)...

Pastaj Ai të pret me një shishe vere dhe ndërkohë që ti bën dushin, shtron tryezën. Pastaj ti vjen e veshur me një këmishë të mëndafshtë deri në fund të këmbëve dhe... ka disa skenarë pastaj, me ushqim, vallëzim dhe gjëra të tjera (ok, hamë darkë njëherë pastaj shohim e bëjmë...).

Ja, ti mendon se në një bashkëjetesë të presin pikërisht këto. Por joooooo, nuk ke dëgjuar ca gjëra të tjera:

- Atë këmishën e mëndafshtë nuk do ta veshësh kurrë, sepse po e veshe, Ai do të thotë menjëherë “zemra hidh ndonjë gjë krahëve se do ftohesh”. Në vend të saj, do ta gjesh veten çdo mbrëmje me tuta dhe me T- shirt.

- Inoksi i kuzhinës nuk do shkëlqejë kurrë, sepse ti nuk ke kohë kurrë pa pastrosh. Madje në shumicën e rasteve nuk do kesh inoks fare, sepse kuzhina të tilla minimaliste ekzistojnë vetëm nëpër katalogë dhe janë të përshtatshme për kuzhinat e beqarëve. Nëse inoksin e ke, edhe pa shkëlqim, ai gjithsesi nuk do duket sepse sipër tij do ketë aq shumë pajisje dhe rraqe, sa mezi do gjesh vend për të vënë një gotë uji.

- Nëse futesh në shtëpi e dyta, do hasësh vështirësi për të arritur në dhomën e ndenjjes sepse ai i ka lënë gjithë dritat fikur (drita e vetme vjen nga ekrani i televizorit). Rrugës do përplasesh me atletet me të cilat ai ka bërë vrap pasdite dhe këpucët me të cilat ka qenë mëngjes në punë.

- Harroje muzikën klasike (jo se të interesonte shumë në fakt). Në sfond ke zhurmën e ëmbël të komentatorëve sportivë.

- Vera? Ku vera? Shishet e verës janë vetëm për miq. Një ndërsa ai sheh sportin dhe nuk e lëshon telekomandën edhe po e shave apo kërcënove, birra është zgjidhja e vetme.

- Duhet të kesh qenë shumë naive të shpresoje se ai gatuan dhe shtron tryezën. Do jesh thjesht me fat nëse ai përpara se të të thotë “ça ka për të ngrënë”, të thotë “zemër” dhe faleminderit pasi ka ngrënë.

- Ai inoksi i fillimit, shkëlqen apo jo, pak rëndësi ka. Enët gjithsesi duhet t’i lash ti, menjëherë madje. Sepse ai mund të të thotë që shtëpia do qelbet deri nesër. Ose se mami i tij i lan gjithmonë në darkë.

Nëse ti nuk i ke dëgjuar të gjitha këto, epo ka një ngushëllim – edhe Ai nuk di disa gjëra të tjera.

- Nuk e di për shembull, se pas disa kohësh nuk do ketë as edhe një milimetër vend afër lavamanit për të vënë briskun e rrojes, sepse kudo do jenë gjërat e tua (në çdo rast ti do t’i thuash se ke minimumin, madje të mungojnë shumë gjëra).

- Nuk e di që në mëngjes po nuk u la i pari, rriskon të lahet me ujë të ftohtë.

- Nuk e di që kanë mbaruar njëherë e përgjithmonë ditët kur tek pileta e dushit uji kalon pa asnjë pengesë (dhe as nuk do guxojë të të thotë të presësh flokët).

- Nuk e di, që bën mirë të mos ngrihet natën në errësirë, se mund të thyejë qafën tek këpucët me taka 12 centimetërshe, që ti i ke lënë tek fundi i krevatit.

- E meqë ra fjala tek këpucët, ai nuk e di që pas disa kohësh të gjitha këpucët e tij do strehohen në dollapin  ballkonit, sepse të tuat janë më delikate e nuk i durojnë temperaturat e ulëta e të larta.

- Ai nuk e di që e ëma nuk do e gjejë kurrë të lirë linjën telefonike të darkë, sepse ti je gjithmonë duke llomotitur me shoqet e tua (epo s’ka gjë, mund të flasë me mamin tënd, që shumicën e kohës do jetë në shtëpinë tuaj, duke hekurosur).

Askush nuk ua thotë të gjitha këto... E nëse gjeni dikë dhe të dy bashkë duroni këtë rutinë e gjithsesi i thoni njëri tjetrit “të dua”, atëherë punë e madhe, që nuk i keni ditur këto. E kush tha që duhet jetuar sipas atij filmit “perfekt” që kishit në kokë?!