Aktualitet

Basha për përmbytjet në Shkodër: Mos shpallja e gjendjes së emergjencës, akt kriminal

Kryetari i PD, Lulzim Basha me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës në disa zona të përmbytura të Shkodrës, ashtu si edhe ka propozuar Shtabi i Emergjencave pak orë më parë.

Basha shprehet se çdo orë që kalon situata shkon drejt përkeqësimit dhe mos shpallja e emergjencës është një akt kriminal.

Statusi i Lulzim Bashës:

Gjendja në Shkodër po përkeqësohet nga ora në orë. Qindra familje janë të izoluara nga uji. Dhjetëra prej tyre janë evakuuar vetëm orët e fundit.

Shkarkimet e ujit nga KESH vazhdojnë në nivele të larta. Sipërfaqja e përmbytur është dyfishuar brenda dy ditësh.

Deri tani kryeministri dhe vartësit e tij kanë injoruar kërkesën e përsëritur të kryetares së Bashkisë, këshillit bashkiak, kryetares së Qarkut dhe deputetëve demokratë, për të shpallur emergjencën.

Në këto kushte kjo nuk është vetëm e papërgjegjshme por KRIMINALE!

I bëj thirrje shtabit të emergjencës ti kërkojë zyrtarisht qeverisë shpalljen e emergjencës. Çdo orë e humbur rrezikon jetë njerëzish dhe mund të sjellë pasoja të pariparueshme. Paralajmëroj çdo zyrtar që refuzon të marrë përgjegjësitë, se do të përballet me pasojat më të forta ligjore dhe penale.

K.H/ tiranapost.al