Aktualitet

Basha akuza qeverisë Rama: Zhaba e thithlopa që bëjnë "guak-guak"

Me fjalë dhe akuza të ashpra ka folur sot kreu i PD Lulzim Basha për Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij. Nga Saranda, Basha akuzoi Kryeministrin se ka zaptuar pasuritë e shqiptarve në atë që ai quajti moçali i politikës.

Akuzat e Bashës shkuan më tej kur tha se “Rama është i rrethuar nga një sërë zhabash e thithlopash që bëjnë “guak guak” duke zhvatur paratë e qytetarëve.”

Sipas kryedemokratit, kjo tregon se është Rama ai që i ka shkëputur të gjitha lidhjet me qytetarët e thjeshtë.

“Sa herë kam ardhur në këtë qytet dhe jemi takuar bashkë e kemi folur...ekonomia katastrofë, copë-copë! Asgjë nuk mund të bëhet po nuk njofte njeri, nuk ecën përpara, nuk çan dot përpara po nuk pate lidhje apo miq. A ishte kjo ëndrra e demokracisë përpara 25 vitesh? Kështu e mendonit ju që do të ishte demokracia e Shqipërisë?

Ky nuk është shtet i fortë, është shtet i falimentuar. Politika ka kaq vjet në moçal... Në moçal rrinë vetëm disa zhaba e thithlopa e bëjnë guak guak...

Në vend që të prodhojnë mirëqënie, politika është zhytur në një moçal. Krekosja e Edi Ramës se po ndërton shtet është tërësisht jashtë realitetit. Tregon se ky njeri ka humbur çdo lidhje me hallet tuaja.

Dje Rama na paskërkësh thënë se ekonomia po rritet, por se qytetarët nuk e kuptojnë... sa prej jush e besojnë këtë? Sa prej jush kanë pasur rritje rrogash në këto 4 vite? Kush ka më shumë lekë për të harxhuar? Kush paguan fatura më të ulëta në këto 4 vite? E vërteta është krejt ndryshe. Edi Rama, ekonomia është katastrofë! Je ti që nuk e ke kuptuar se ke humbur çdo lloj lidhje me njerëzit.” tha Basha. E.C/Copyright Tiranapost.al