Aktualitet

Basha 90 minuta takim me kongresmenët

Një orë e tridhjetë minuta ka zgjatur takimi i kreut demokrat Lulzim Basha me kongresmenët amerikanë në selinë e Partisë Demokratike.

Delegacioni i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kryesohej nga kreu i Komisionit të Çështjeve Ligjore, Bob Goodlatt, i shoqëruar nga Steve King, Dave Trott, Matt Gaetz, Peter DeFazio, David N. Cicilline si dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu. Gjithashtu në takim kanë qenë edhe aleatët e Partisë Demokratike.

Nuk ka pasur prononcime për mediat, por është mësuar se diskutimet kryesore janë lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi, mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 18 qershorit dhe reformës zgjedhore.

Më parë, delegacioni i kongresmenëve amerikanë pati një takim me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe nën kryetarët Shpëtim Idrzi dhe Valentina Leskaj.

Më 15 maj pritet të vijë në Tiranë zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee. Vizita e tij lidhet me pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje, ndërsa në axhendën e takimeve do të jenë edhe kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta./E.U, Tiranapost.al