Aktualitet

Banorët e këtyre dy rrugëve në kryeqytet do kenë ujë të pijshëm

Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës janë angazhuar në çdo rrugë e lagje të kryeqytetit për të përmirësuar rrjetin e kanalizimeve, por edhe furnizimin me ujë të pijshëm duke rritur vazhdimisht cilësinë e shërbimit. Në kuadër të kësaj politike po bëhen një sërë investimesh në zona të ndryshme të Tiranës.

Investimi i radhës i UKT-së ishte në rrugën “Tish Dahija” dhe “Pjetër Budi”. Punonjësit e Drejtorisë Operacionale finalizuan investimin për shtrirjen e rrjetit të ri, i cili i jep zgjidhje problemit të ujit të pijshëm për banorët e rrugës “Tish Dahija”. Banorët e kësaj zone tashmë nuk do të kenë probleme as me kanalizimet pas shtrirjes së rrjetit të ri.

Ndërkohë është finalizuar edhe projekti i investimit në rrjetin e ri të ujësjellësit në rrugën “Pjetër Budi”, pranë Depos. Në këtë zonë të kryeqytetit janë kryer investime hidroteknike prej UKT-së, në mënyrë që të shtohet kapaciteti i transmetimit dhe cilësia e furnizimit me ujë për banorët. U bë i mundur gjithashtu ndërtimi i linjës kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm nga mjete të avancuara dhe materiale cilësore.

Stafi menaxhues i UKT-së vazhdon çdo ditë punën në çdo zonë të kryeqytetit, ku krahas zgjerimit të rrjetit të shpërndarjes, po punohet edhe për zëvendësimin e rrjetit të amortizuar.