• Shqip
  • English
  • E premte, 22 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Ekonomi Të gjitha

    Banka Botërore përgënjeshtron opozitën: Ulet korrupsioni, ja si zbriti nga 2013 në 2019


    Shefja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri shpjegon për Top Channel gjetjet e një raporti në lidhje me biznesin, ekonominë dhe korrupsioni. Ajo thotë se është vërejtur një ulje e korrupsionit për lejet e ndërtimit nga 32% që deklarohej nga firmat në vitin 2013 në 17% në vitin 2019. Zonja Salim, çfarë përfaqëson botimi më i fundit i bankës për vrojtimin e ndërmarrjeve në Shqipëri?

    “Vrojtimi i Ndërmarrjeve është anketimi në nivel firme, i cili mbulon një gamë të gjerë temash të mjedisit të biznesit siç është për shembull aksesi ne financim, infrastruktura, konkurrenca, korrupsioni, performanca, etj. Vrojtimi kryhet në vende të ndryshme nga grupi i Bankës Botërore dhe partnerët e tij, BERZH-i dhe Banka Evropiane për Investime. Rezultatet e Vrojtimit ndihmojnë për të ofruar informacionesh, për të vendosur prioritetet si dhe përcaktuar reformat qe duhen ndjekur qe bizneset të rriten. Në rastin e Vrojtimit të kryer për Shqipërinë janë intervistuar pronarë të bizneseve dhe administratorë të tyre në 377 firma përgjatë 6-mujorit të parë të këtij viti”, shprehet Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

    Cilat janë gjetjet kryesore? “Rezultatet për Shqipërinë paraqesin një situatë dinamike. Të dhënat tregojnë se në përgjithësi aktiviteti i firmave paraqitet më mirë krahasuar me rezultatet e Vrojtimit të vitit 2013. Rritja e xhiros se aktivitetit vjetor është shumë më e lartë sikurse është më i lartë edhe punësimi, por produktiviteti i krahut të punës vazhdon të jetë i ulët, çka i pengon firmat të rriten e krijojnë më shumë vende pune.

    Gjithashtu, firmat eksportojnë një pjesë më të madhe të produkteve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht 15% e firmave, në krahasim me 9% në vitin 2013, eksportojnë të paktën 10 përqind të mallrave te tyre, gje që përkon edhe me mesataren e rajonit. Me zgjerimin e ekonomisë bizneset bëhen më të sofistikuara, kështu që dhe kërkesa e tyre për një mjedis biznesi më cilësor rritet, sidomos në lidhje me instrumentet financiare, një fuqi punëtore më të aftë, një sistem efikas gjyqësor, dhe infrastrukturë dhe shërbime publike me te mira. Të dhënat tregojnë se firmat i kanë rritur kapacitetet e tyre, trajnojnë më shumë staf dhe investojnë më shumë në produkte dhe procese të reja krahasuar me vitin 2013. 42% e firmave në vitin 2019 kanë deklaruar se kanë futur ndonjë produkt apo shërbim të ri krahasuar me vetëm 10 përqind në 2013. 15.4% kanë investuar në kërkim-zhvillim në vitin 2019 krahasuar me 1 % në vitin 2013.

    Ndërkohë, tregu i punës është bërë më gjithëpërfshirës me një rritje të numrit të grave sipërmarrëse dhe të punonjëseve femra si punonjëse me kohë të plotë.

    Pavarësisht nga përmirësimet ky vrojtim ka nxjerrë në pah edhe pengesat kryesore me të cilat përballen firmat, të tilla si niveli I taksave, informaliteti, transporti, korrupsioni, gjykatat, etj.

    Mënyra sesi perceptohet korrupsioni dhe mitmarrja tregon që ka një rritje, por Vrojtimet mbi Perceptimet e Bizneseve duhet të interpretohen me shumë kujdes dhe rezultatet e përgjithshme të Vrojtimit duhet që të zbërthehen me detaje. Përshembull, përqindja e firmave që e përmendin korrupsionin si pengesën e tyre kryesore është relativisht e vogël dhe ka pësuar njëfarë rritje, nga 6% në vitin 2013 në 8% në vitin 2019.

    Nderkohe anketimi ka shumë përgjigje që tregojnë përmirësime në procesin e fitimit të kontratave prej institucioneve shtetërore, ku ka një ulje nga 40% të firmave në vitin 2013 në 15% në 2019, ose korrupsioni në procesin e marrjes së lejeve të ndërtimit ka rënë nga 32% që raportohej nga firmat në vitin 2013 në 17% në vitin 2019. Por ndërkohë ka pasur rritje ne proceset qe lidhen me administratën tatimore apo në lidhjet e kontratave për energjinë dhe ujin.

    Ndryshimet e perceptimit ndikohen nga faktore që shkojnë përtej përvojave të drejtëpërdrejta, faktorë të cilët nuk maten nga Vrojtimi i Ndërmarrjeve. Një zhvillim tjeter pozitiv që verehet është se firmat tani e ngrenë janë më aKtive ne paraqitjen e ankesave te tyre për aspekte të ndryshme të punës, çka ndihmon në identifikimin dhe trajtimin e çështjeve.

    Çfarë rekomandon BB?

    “Mjedisi i biznesit në Shqipëri mund të përfitojë nga vijimi i progresit të reformave në sistemin e drejtësisë, në qeverisje dhe në realizimin e shërbimeve publike, në arsim, në infrastrukturë dhe aksesit të financimit. Banka Botërore po punon me qeverinë shqiptare për të kapërcyer disa nga pengesat e identifikuara në Vrojtimin e Ndërmarrjeve. Po punojmë së bashku në sektoret e energjetikës, të ujit dhe transportit me synim përmirësimin e infrastrukturës.

    Një shembull i fundit eshtë edhe Projekti rajonal i Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit, i cili synon të ulë kostot e tregtisë dhe të rrisë efikasitetin e transportit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pritet ky projekt të ulë kostot e import-eksportit me më shumë se 10 përqind.

    Po punojmë me qeverinë edhe për të përmirësuar hartimin e politikave fiskale në mënyrë që qeveria të ketë më shumë llogaridhënie dhe të jetë më e parashikueshme sa i takon krijimit të një mjedisi fiskal që të jetë miqësor për biznesin.

    Autoritetet shqiptare dhe Banka Botërore gjithashtu po punojnë nga afër për të thelluar dhe diversifikuar sektorin financiar në mënyrë që të rriten mundësitë për ndërmarrjet që këto të investojnë dhe të rriten.”

    Burimi: Top Channel./ Tiranapost.al. 

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post