Politikë

Balla: Të shkuara Z. President! Zgjedhjet më 30 qershor

Balla: Të shkuara Z. President! Zgjedhjet më 30 qershor

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor, në reagim të deklarimeve të presidentit Ilir Meta pasditen e sotme.

“Zoti President ju nuk keni asgjë në dorë lidhur me datën e zgjedhjeve të dekretuar prej jush. Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, në respekt të plotë të dekretit të nxjerrë prej jush në respekt të detyrimit kushtetues që keni. Ndërsa çdekreti juaj është një lajthitje antikushtetuese, që meriton të gjithë vëmendjen e Parlamentit, të cilën do ta keni të plotë të enjten, ku do të miratojmë edhe rezolutën përkatëse lidhur me lajthitjen në fjalë”, theksoi Balla.

Sakaq, ai uroi shërim të shpejtë Presidentit Meta.

“Dëgjova nga presidenti Meta që ka qenë i sëmurë në këtë periudhë dhe nuk dëgjon mirë! I uroj në emër të grupit parlamentar shërim të shpejtë dhe meqë nuk dëgjon mirë po ia shkruaj si kryetar i grupit: zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor”, tha Balla. /Tiranapost.al/