• Shqip
  • English
  • E diel, 19 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Të gjitha

    REPORTAZH/ Back to the future, shtatë arsye pse të gjithë do të duan të shkojnë në Doha


    Nga Iva Tiço/ Nëse kërkon në google për kryeqytetin e Qatarit, Doha, të dalin pyetjet tipike të turistëve: “A është i sigurt”, “Në çfarë vendi është?”, “Si të vishem në Doha?”… Ndryshe nga “fqinjët” si Dubai, që është i pari vend i Lindjes së Mesme, që i shkon në mendje çdo turisti që do të niset në këto anë, apo ndryshe nga Abu Dhabi, që u kthye në destinacionin e ëndrrave të mijëra vajzave nëpër botë pas filmit “Sex and The City” (e që në fund të fundit nuk është xhiruar fare aty), për Dohën deri më tani është dëgjuar shumë më pak. Kur mësojnë se është kryeqyteti i Qatar-it, atëherë po, të gjithë e kujtojnë, qoftë edhe vetëm sepse kanë parë reklamën e Qatar Airways në fanellat e futbollit të Barçës. Dhe është pikërisht futbolli ai që në tre vitet e ardhshme do kthejë vëmendjen e gjithë botës nga qyteti në buzë të Gjirit Persik: për të parën herë, në vitin 2022, një vend arab ka fituar të drejtën të zhvillojë Kupën e Botës. Dhe nuk ka marketing më të mirë se një event i tillë.

    I gjithë vendi, ku shumica e popullisë jeton në kryeqytetin që dikur ka qenë një vendbanim i vogël që mbahej ekonomikisht nga kultivimi dhe shitja e perlave, është në ndërtim të plotë. Gjatë natës qiellgërvishtësit dhe ndriçimi spektakolar i japin pamjen e një qyteti alienësh ose të një filmi fantashkencë që flet për të ardhmen. Kurse në dritën e diellit të fortë (në fund të shkurtit temperatura është nga 25-27 gradë celcius, kurse në verë është normale 42) magjia prishet edhe për shkak të kantiereve të ndërtimit, që i sheh në çdo cep të qytetit. Qiejgërvishtës të rinj, metroja me anë të së cilës llogaritet të shkohet nga një stadium tek tjetri në jo më shumë se një orë e gjysmë, hotele, stadiume, qendra tregtare, vepra arti… Qyteti po rritet me shpejtësi dhe pas Kampionatit Botëror të Futbollit të gjithë janë gati të vënë bast që do të jetë vendi i preferuar i të gjithëve në Lindjen e Mesme. Dhe ka kaq shumë arsye:

    1. Meka e re e turizmit
    “Lustra vjen nga qytetet, urtësia nga shkretërira”, është një thënie e vjetër. Në Doha, me mençurinë e trashëguar nga shkretëtira, po dinë të ndërtojnë lustrën e re të këtij Mijëvjecari, siç e kërkojnë turistët. Qyteti, që dikur ishte një vendbanim peshkatarësh perlash, çdo ditë merr tokë nga shkretëtira dhe lartësohet drejt qiejve, për t’u shndërruar në vendin e ri që miliona njerëz nga e gjithë bota do të duan ta vizitojnë në të ardhmen. Ka një nga linjat ajrore më të famshme në botë, me shumë connections dhe hotele nga më luksozet.

    Në nder të perlave të dikurshme “Perla” e tanishme do t’i bëjë konkurrencë “Palmës” së ishujve artificialë të Dubait dhe një sërë atraksionesh të tjera, përfshirë Katara-n, një qytetth i ri kështjellë brenda qytetit, po mbarojnë së ndërtuari. Pastaj është Muzeu i Artit Islamik dhe disa xhami, atraksione të vërteta turistike, dhe Biblioteka Kombëtare që është thjesht spektakolare. Fiks kur mendon se në një nga vendet më të pasura të botës teknologjia do jetë kaq e zhvilluar, sa libri që mund të kesh marrë në udhëtim do të duket një relike e shekullit të shkuar, viziton këtë bibliotekë dhe kupton që teknologjia mund të kthehet në aleate të leximit: shifrat prej qindra mijëra njerëzish që kanë frekuentuar bibliotekën vetëm në një vit nga hapja, të bëjnë të besosh që investimet me mençuri po bëjnë që lustra dhe urtësia të japin e të marrin me njëra-tjetrën.

    2. “Turizëm” spitalor
    “Ky është kopshti botanik i maskuar si spital”, më thotë Alqi, kolegu im, teksa më nis fotografinë e një holli në katet e sipërme të njërës prej kullave në formë petalesh luleje, që shërben si qendër spitalore për gratë dhe fëmijët. Duket si super hotel luksoz, zbukuruar me vepra arti brenda dhe në rrethina, me piano ku luhet muzikë gjithë ditën në hollin qëndror të katit të parë dhe që veç pavioneve, ku mjekë dhe kirurgë nga më të zotët dhe më të paguarit e botës ushtrojnë funksionet e tyre, ka dhe disa laboratorë kërkimi për zbulimin e metodave për kurimin e shumë sëmundjeve që na shqetësojnë të gjithëve… Eshtë vendi ku grupi jonë prej dhjetë gazetarësh psherëtijmë më shumë se kudo, kur kujtojmë prej nga kemi ardhur dhe ku do kthehemi prapë, për të mbetur veç në dorë të Zotit. Lajmi i mirë është se spitali jo vetëm që pranon për kurim njerëz nga e gjithë bota, por ka një staf të specializuar që të lehtëson deri edhe transportin e të sëmurëve me avion dhe akomodimin e tyre dhe të familjarëve që i shoqërojnë. Drejtuesit e tij me krenari tregojne se deri pak kohë më parë vendasit udhëtonin në vendet fqinjë për shërbimet spitalore. Ndërsa tashmë Doha do të mund të kthehet në zgjidhjen më të mirë të problemeve shëndetësore në Lindjen e Mesme.


    3. Mes rërës dhe detit
    Safari në shkretëtirë është një nga gjërat më të bukura që mund të bësh në Lindjen e Mesme. Në Qatar ai është thjesht spektakolar. Ndryshe nga turet e ngjashme në Dubai dhe Abu Dhabi, këtu deti që shtrihet ndanë shkretëtirës e bën shëtitjen me makinat që ecin me shpejtësi mes dunave, një përvojë unike. Përpara aventurës së makinave, një xhiro me gamile dhe një foto me fajkua në dorë: kujtimi më i bukur për çdo turist. Shëtitja mbaron në kufi të vendit, ku një rrip i ngushtë deti ndan Qatar-in nga Arabia Saudite, që bashkë me Emiratet e Bashkuara i kanë vendosur embargon, që është dhe kryefjala e gjithë takimeve, bashkë me krenarinë e vendasve për kapërcimin e gjithë vështirësive ekonomike. Në atë pikë kufitare, përpara atij rripi deti mund të kuptosh se përtej ekspansionit ekonomik, embargoja ka sjellë edhe dramat njerëzore: mijëra familje të ndara në dy anët e kufirit, të afërm që nuk mund të udhëtojnë e të shohin njëri-tjetrin, ndërsa ndodhen kaq afër. Për ne, që kemi histori të atillë, që na ka bërë ta ndiejmë shumë peshën e kufirit, qëndrimi në atë breg shkon përtej peizazhit të bukur. Eshtë si të qëndrosh mes dy botëve.


    4. Pazar i vjetër dhe shopping i ri
    “Souk” – suku, është pikërisht pazari vendas ku Carrie humbi pasaportën dhe takoi të dashurin e vjetër, teksa blinte këpucë në Abu Dhabi. Që të jem e sigurt, pasaportën e lë në dhomë. Tregu është po njësoj, si në film, edhe pse pa gjurmë dashurish të vjetra. Por aroma e erëzave është ndjellëse (aq sa të mos dish ç‘të marrësh, si Miranda), po njëlloj është dhe kayal-u për të nxirë sytë më vonë, kurse këpucët janë zhgënjyese: prodhim kinez. Ama Souk-u është një shëtitje që nuk duhet humbur, rreth e rrotull tij gjenden edhe ndërtesat historike të Dohas, zemra e qytetit. Pastaj janë buzë detit, në kullat e qelqta dhe mall-et, dyqanet superluksoze të firmave më të shtrenjta të veshjeve, orëve, bizhuterive. Madje, ditëve që jemi ne, zhvillohet edhe një ekspozitë diamantësh që mund të blihen…

    Jo, faleminderit, i harxhova gjithë lekët në Souk :).

    Por për shumë të pasur të botës, kjo me siguri është një arsye e mjaftueshme për të bërë një vizitë në Doha.


    5. A mund të ushqehem këtu përgjithmonë?
    Kjo mund të kishte qenë arsyeja ime e parë, por vendosa të shfaqem pak më intelektuale sesa llupësja e zakonshme, dhe i lashë vendin e pestë. Sigurisht i pari është ushqimi arab, humusi më i mirë në botë. Përtej vakteve luksoze me kuzhinat ndërkombëtare në Hotel Mondrian, ku na kanë mirëpritur, ajo që më bën të lë thonjtë janë ushqimet e zonës. Tamam- tamam dreka në kampin e beduinëve, ndanë shkretëtirës. Por dhe kuzhina otomane në “sarajet” e Katara-s buzë detit. Por edhe darka me ushqimin tipik arab, dhjetëra pjata me meze në restorantin në Pent House të Hotel Sheraton, në fund fare, një nga ëmbëlsirat që kamerieri më tregon që ka origjinë egjiptiane dhe quhet Om Ali. Si ishte? Fundi i botës! Shpresoj t’ia dal ta gatuaj dhe ta postoj së shpejti në blog.


    6. Kupa e botës në futboll
    Një vizitë në Komitetin që po merret me organizmin e Kupës së Botës mund të arrijë të jetë joshëse edhe për dikë si unë, që nuk ka parë kurrë një ndeshje nga fillimi në fund dhe nuk është tifoze e asnjë skuadre. Sepse futbolli nuk është thjesht sport, në këtë rast është veprimtaria më e madhe e organizuar ndonjëherë në këto anë, që merr vëmendjen e miliona njerëzve dhe që në këtë rast po ndërton një vend të tërë.

    Tetë stadiumet që po ngrihen për këtë event, janë spektakolare për nga dizajni, siç është gjithë Lindja e Mesme së fundmi, parajsa dhe ëndrra e çdo arkitekti dhe urbanisti në botë. Një me formë diamanti, një me fasadë të artë, një si tendë beduinësh… Gjenitë e arkitekturës, të frymëzuar nga tradita dhe veçoritë e vendit, kanë krijuar ngrehina fantastike, për të cilat janë bërë plane të mirëdetajuara se për çfarë do të përdoren pasi kampionati të ketë mbaruar. Njëri, madje, do të çmontohohet fare, një do të kthehet në godinë ku do të zhvillohen dasma, siç ka kërkuar komuniteti, të tjerë do përgjysmojnë kapacitetin dhe ato që do çmontohen, do u dhurohen vendeve në zhvillim. Asgjë nuk i është lënë rastësisë, madje as pyetja jonë e sikletshme “a do lejohet alkooli?”. Përgjigjja diplomatike është “do lejohet në zonat ku lejohet, kurse reklamimi i pijeve alkoolike është sipas rregullave të FIFA-s”. Pra, besohet se do shfaqen reklamat e birrës, kurse alkooli do mund të pihet brenda hotele të rrjeteve ndërkombëtarë, ku lejohet edhe tani. Por pakush do ta pijë, siç bën dhe grupi jonë: çmimet të mbajnë vetë larg nga alkooli.


    7. Për të takuar Lindjen e Mesme si model emancipimi
    Dohën mund të mos e njohin menjëherë të gjithë, ama televizonin Al Jazeera po. Eshtë krenaria e shtetit të Qatar-it, vendi i ëndrrave të të gjithë grupit tonë. Eshtë si BBC apo CNN, vetëm se gjendet në Arabi. Ka të njëjtin reputacion dhe tashmë e gjithë bota e sheh me respektin që meriton një media e madhe, që informon në mënyrë të paanshme. Eshtë “molla e sherrit” mes Qatar-it dhe fqinjëve që kërkuan mbylljen e tij dhe në fund vendosën embargon. Drejtuesit e televizionit na presin dhe na tregojnë se si është puna e tyre, si punohet për të qenë të paanshëm, të besueshëm tek publiku, dhe si do të mbijetojnë televizionet në kohën e internetit. Pastaj vizitojmë studiot, dhomën e lajmeve, sa të gjithë televizionet tona e ndoshta dhe të Kosovës bashkë… Dhe të gjithë pa përjashtim bëjmë fotografi me logon e televizionit në sfond… Kush mund ta kishte imagjinuar që Perëndimin mund ta takosh edhe në Lindje?! Kush mund ta kishte imagjinuar që në çdo takim, që nga Qatar Foundation, në Ministrinë e Jashtme, në Bibliotekën Kombëtare, në Dhomën e Tregtisë, në spital etj., etj, kryefjala e të gjithëve do të ishte vetëm një: “education”! Edukimi, arsimimi. Po, edhe për gratë. Arsimim dhe liri për të zgjedhur. Shkollim si djemtë dhe mundësi karriere dhe liri zgjedhjeje. Gjithë feministet në botë nuk aspirojnë më shumë se kaq. Dhe nëse jeni kureshtarë si mikeshat e mia, për të më pyetur “a ishin të mbuluara”, përgjigjja është: Po, ashtu siç vetë zgjedhin, siç besojnë, siç duan të jetojnë. Kush me hijab, kush me burka, kush me shall me ngjyrë në kokë, ama në vende publike, të lira të bëjnë atë që duan, me fustanin tim me tiranda në tryezën pranë, që nuk i shqetëson aspak. Si gjithë njerëzit e lirë e të qytetëruar kudo në botë.