• Shqip
  • English
  • E premte, 20 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kryesore Opinion Të gjitha

    Babai fantastik që pashë tek dera e Ministrisë së Jashtme


    Mira Kazhani/ “Mos më flit ashtu, mor bab. Ja këtu jam, tek Ministria e Jashtme, bashkë me dokumentet. Pse me babin më përgjigjesh kështu? Kam ardh këtu dhe po pres…”.

    Zëri dhe pamja e burrit mbi të 50-at, i veshur thjesht, me disa bulëza djerse në ballë (nga ajo e sikletit të një urgjence dhe jo prej diellit), në njërën dorë një tufë me letra e tjetrën celularin në vesh, më ka shoqëruar gjatë gjithë ditës sot. Si një kasetë që më përsëritej herë pas here, babai i mirë, të cilit nga ana tjetër e telefonit me siguri e bija ose i biri po i fliste keq, të paktën nga reagimi nuk duhet të ishte me tone të buta. Babai i mirë nxitonte me disa dokumente në dorë drejt hyrjes së Ministrisë së Europës tashmë, por që do na duhet disa kohë sa të mësohemi me emrin e ri.

    Sot nuk do ta kisha dëgjuar atë bisedë, po mos të më duhej të prisja taksinë përbri ministrisë – ku dhe jetoj – nëse një tjetër baba (i imi këtë herë) nuk do ishte duke u marrë me një punë të vajzës. Makinën time e çon gjithmonë im atë tek kontrolli teknik dhe sot ishte afati i fundit.

    Meqë ai e bën gjithmonë, unë s’e vë re. Siç bën, tek e fundit, njeriu me teka dhe arrogancë me njerëzit që janë përherë aty për të. Sepse njeriu rend të shkojë pas asaj që i ikën, që nuk e do, që nuk e di, nuk do t’ia dijë! E vjetër sa bota! Në dashuri i fituar është ai që ikën! Por sonte, në “25 rreshtat”, nuk dua të flas për këta ikësit. Dua të flas për një dashuri që s’e vëmë re kur e kemi dhe vetëm ne fëmijët shqiptarë e provojmë: quhet mami dhe babi.

    Ai babai tek hyrja e Ministrisë së Jashtme sot më pikoi në zemër tërë ditën e Zotit. “Po pse më përgjigjesh ashtu, mor bab?” nuk më del nga koka. Sikur një çekan godet kujtesën dhe më mban të fiksuar në atë gjendje.

    Ne ankohemi shpesh se jemi rritur në varfëri. Se nuk jemi si francezët, me vreshta e ferma, me gjyshe që prodhojnë çokollata e bonbone. Me pushime nëpër botë dhe ditë kinemaje. Nuk kemi pasur ngrohtë në dimër nëpër klasa dhe në shtëpi, sidomos kur na duhej të shkonim nga kuzhina në dhomën tonë. Shtëpi të ftohta, por strehë e ngrohtë! Nuk kemi bredhur nga e mira, sigurisht. Mund edhe të kemi përjetuar pak fanatizëm, ndonjë vrazhdësi, që vjen nga jeta me jo pak halle, por shqiptarët janë njerëzit më të mirë në botë, kur bëhen prindër. Në Shqipëri prindërimi nuk është thjesht trashëgimi apo përgjegjësi. Prindërimi është një mision si ai i papës, priftit apo hoxhës. Është sikur dikush të jepet plotësisht pa asnjë rezervë në këtë detyrë sublime. Ka raste përjashtuese, gjithmonë, por shumatorja është në favor të prindërimit të jashtëzakonshëm. Të babait fantastik! Nuk heqin kurrë dorë nga përkujdesja, deri në detajin e fundit. Ata plaken, vdesin duke na shërbyer ne fëmijëve, që nuk kënaqemi kurrë. Që futemi në shtëpi hundë e buzë për trishtimet tona.

    Nëse rastësisht vajza apo djali, që ditën e mërkurë, datë 27. 09. 2017, ka folur me babain (i cili nga aksenti duhet të ishte verior), do t’i lexojë këto rreshta, do t’i lutesha ta telefonojë sërish, nëse është larg. Nëse është afër, aq më mirë. Të pijë një kafe me të ose një birrë. T’i kërkojë ndjesë që iu përgjigj ashtu. Ai/ajo s’e pa djersën e mundimit në ballë, me dorën plot dokumente, para ministrisë së ftohtë të diplomacisë. Unë e di, jo të gjithë prindërit janë prindër, por këta tanët nuk do t’i ndërroja me fabrikën e çokollatës e testamentet e ftohta gjermane. Ata pleqtë që rrinë me qen e mace dhe fëmijët i shohin rrallë, se jeta kështu është. Perëndimi na mëson secili në jetë të vet!

    Mund të jetë e drejtë, por kjo anë e Shqipërisë më duket atraksioni më i madh turistik edhe se deti blu i Qeparoit, se jeshilja e Thethit. Prindërit shqiptarë janë rast për studim e një ditë historia do flasë për ta. Heronj nuk janë ata që mbajnë fjalime, por ai babai që pashë unë sot tek hyrja e ministrisë.

    Meqë ra fjala, kur u ktheva në darkë në shtëpi, para pallatit gjeta makinën dhe një shënim në një letër të palosur A 4.

    “Mira, laje makinën”.

    Babi! /Copyright Tiranapost.al

    1 Koment

    1. Ka nevoje njeriu te lexoje here pas here edhe meditime te tilla. Nuk eshte turp te them qe m’u mbushen syte me lot. Duke lexuar keto rreshta me erdhi para syve sakrifica e prinderve te mi. Nuk kane bere shume me shume se prinderit e tjere shqiptare, por besoj se nuk do jem ndonjehere mjaftueshem falenderues ndaj tyre.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690