Aktualitet

Avionët grekë vënë nën kontroll flakët në Dukat

Avionët e dërguar nga Greqia kanë vënë nën kontroll zjarret në Dukat. Emergjencat Civile kanë bërë me dije se vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra zjarri, në Vlorë, Elbasan, Dibër, Durrës dhe Tiranë. Siç e tha ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Forcat e Armatosura janë në terren për shuarjen e flakëve. Situata sipas saj është dramatike, duke vënë theksin tek zjarret e qëllimshëm.

Situata sipas qarqeve:

Qarku Dibër.

Në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës” në fshatin Sllatinë, Njësia Administrative Sllovë, bashkia Dibër, u krye operacione nga ajri për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u përshkrua një sipërfaqe rreth 20 ha me pemë pishe.

Nje tjeter operacion me helikopter u krye ne Ulëz të Burrelit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 6 dynym me dushk të ulët dhe pemë lisi.

Qarku Vlorë.

Ka vazhduar operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Dukat të bashkisë Vlorë, pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë. Shërbimi i MZSH Vlorë së bashku me forca ushtarake dhe forca nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura kanë punuar gjatë gjithë ditës së djeshme dhe kanë shuar plotësisht zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 60 ha me shkurre.

Zjarri i rënë disa ditë më parë, në një sipërfaqe me shkurre, në fshatin Tragjas, Njësia Administartive Orikum, bashkia Vlorë ka vazhduar edhe ditën e djeshme. Shërbimi i MZSH Vlorë nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të vështirë. Zjarri u vu nën kontroll pasi në ndihmë kanë ardhur 2 avionë nga Greqia të cilët sipas komunikimeve të bëra në QKOEC, kanë kryer 2 hedhje me ujë në vatrat e zjarrit që ishin shumë problematike. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.

Qarku Elbasan.

Në Liqenin e Dushkut, Njësia Administrative Lenie, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Gramsh, ka shkuar në vendngjarje, por e ka pasur të pamundur për të vepruar me automjet zjarrfikës për shkak të terrenit të thyer malor. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre dhe pisha.

Qarku Berat.

Tek Parku i Rezervatit të Bogovës, Njësia Administrative Bogovë, bashkia Skrapar, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi i MZSH Skrapar nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe shkurre.

Qarku Durrës.

Në fshatin Zgërdhesh, Njësia Administrative Fushë-Krujë, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Krujë ka dërguar në vendngjarje 1 automjet zjarrfikës me personelin shoqërues, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 200 rrënjë ullinj.

Qarku Tiranë.

Në afërsi të tunelit të aksit nacional Tiranë-Elbasan, Njësia Administrative Krrabë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Forcat ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë punuar, por nuk kanë arritur të shuajnë zjarrin. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e kosiderueshme me shkurre.

Në afërsi të Repartit të Gardës, në Malin e Dajtit, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Tiranë ka dërguar në vendngjarje 2 automjete zjarrfikëse me personelin shoqërues. Operacioni për shuarjen e zjarrit po vazhdon edhe ditën e sotme. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pisha.