Ekonomi Te gjitha

Automatizimi i prokurimeve, Shqipëria kurseu 70 milionë USD në 2017-n


Automatizimi i sistemit shtetëror të prokurimeve i ka kursyer shqiptarëve 70 milionë dollarë gjatë vitit 2017.

Kjo e dhënë zbulohet në raportin vjetor për prokurimet publike, publikuar ditën e sotme.

Konkretisht, raporti zbulon se fondi total limit i prokuruar në Shqipëri gjatë vitit të lënë pas zë 7% të PBB-së, rreth 850 milionë dollarë, duke llogaritur PBB tonë në 12 miliardë dollarë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT dhe Bankës Botërore.

Automatizimi i këtij sistemi, përmes krijimit të platformës “E-Procurement Albania” ka lejuar një kursim prej 8% nga fondi limit i prokuruar, ose 70 milionë dollarë më pak para të shpenzuara nga taksapaguesit, për të njëjtat shërbime të përfituara.

Rritja e efektshmërisë së këtij sistemi pritet të përmirësohet në vitet në vazhdim, pasi më shumë kompani të interesuar për të përfituar kontrata publike, të njihen me mënyrën e përdorimit të këtij sistemi.

Gjatë vitit 2017, një rritje të ndjeshme njohu dhe konkurrenca për fitimin e kontratave shtetërore.

Të dhënat e raportit tregojnë se numri total i ofertave të dorëzuara nga operatorët ekonomikë në Sistemin e Prokurimit Elektronik ishte rreth 170 mijë.

Gjatë vitit të shkuar, u regjistruan në sistem pothuajse 18 500 operatorë të rinj ekonomik vendas dhe 75 operatorë ekonomikë të huaj.