• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Të gjitha

    “Attimi”, një histori dashurie që sjell kuzhinën e yjeve të vërteta në Tiranë


    Nuk është restoranti i zakonshëm me sallën e madhe dhe tryezat e karriget gjithë peshë, me atë menunë klasike me shumë faqe dhe gatime që i shohim kudo.

    Përkundrazi, është fiks siç janë restorantet më të suksesshme sot në botë, me hapësira intime e të ngrohta, ngjyra të buta, lule natyrale dhe qirinj dhe ushqim ndryshe, po shumë ndryshe nga ato që jeni mësuar të hani vërdallë.

    Sepse dhe shefi i kuzhinës Loris Marinetto nuk është nga ata të zakonshmit dhe për këtë nuk ka përse të hapësh fare as google as të pyesësh: një finger food i këtillë, si në festën e hapjes së restorantit Bllok, në rrugën Ismail Qemali nuk ishte shijuar ndonjëherë në Tiranë.

    Në një mbrëmje mondane me ngjyra mjaft romantike, dashamirës së kuzhinës dhe ushqimeve të mira, por dhe njerëz të njohur janë mbledhur t’i urojnë fat të mirë këtij investimi të ri dhe të prekin e të shijojnë pak nga ajo që premton të jetë “Attimi”.

    Pas shijes që lë ushqimi i servirur në pritje, ia vlen të rrëmojmë pak më tej për të zbuluar se cili është mjeshtri i kuzhinës që i ka përgatitur. Dhe mësojmë se Loris Marinetto studioi në Shkollën e Hotelerisë së Castelfrancos në Treviso. Pas përfundimit të studimeve filloi të punonte në kuzhinat italiane ku mori përvojën e parë në restorante si “Le Calandre” (3 stelle Michelin); “Cipriani” dhe RAI (Radio Televizioni italian).

    Udhëtimet në mbarë botën i krijuan një identitet të vetin kulinar. Mund të themi se periudhat e arta në karrierën e tij janë ato në restorantin italian më të famshëm në SHBA “Casa Tua” në Miami; në restorantin “Le Maree” në Montecarlo; në restorantin e “Grand Hotel Courmayeur” në Courmayeur; në Belmond Copacabana Palace në Rio de Janeiro; në Perù, Spanjë, Gjermani, Kroaci etj.

    Falë këtyre ka grumbulluar njohuri të gjera rreth traditave dhe teknikave kulinare të vendeve ku ka punuar.

    Natyrshëm lind pyetja: Po pse të lësh një karrierë të tillë, në kuzhinat më të mira të botës, për të ardhur në Shqipëri? Përgjigjja është e thjeshtë fare: dashuria. Lidhja me një vajzë shqiptare, Adorën është dhe arsyeja e zhvendosjes së familjes së tyre të vogël, ku drita e syve është djali i vogël, ende në krahë të prindërve.

    Erdhën këtu në nëntor të vitit të shkuar dhe tashmë projekti i tyre mori udhë: Attimi është i bërë me shumë dashuri, nga ajo lloj dashurie që të ndryshon jetën. “Të gjithë më këshilluan të mos e bëja, por unë e kuptova sapo shkela në Shqipëri se ky vend ka diçka speciale, ndaj vendosa të hap restorantin tim në Tiranë”, – tregon Loris Marinetto, duke vazhduar: “Kam lindur dhe jam rritur si shef në Itali, për të udhëtuar më pas në vende të ndryshme të botës, ku mësova si të ndërthur produktet e kulturave ndërkombëtare me kuzhinën time. Recetat e restorantit tim pasqyrojnë gjithë eksperiencën e fituar gjatë këtyre udhëtimeve”.

    Dhe ka qenë kjo shija që kanë ndjerë të pranishmit e eventit special në zemër të Bllokut në Tiranë. Një shije ushqimesh dhe delikatesash nga gjithë bota, me ca gjurmë të vogla shqiptare. Për hir të dashurisë, sigurisht!/ Tiranapost.al