Shëndeti

Atentatet e dinjitetit femëror

Trupi i saj shërben si kafshë kurbani për të shlyer mëkatet më të rënda, një Rozafë moderne në një shoqëri të çoroditur që nuk di më se ku i ka themelet e saj, nuk di si të ndërtojë apo të përmirësojë veten dhe shkon drejt vetëshkatërrimit.
Atentatet e dinjitetit femëror

‘Mashkulli lahet me një lugë ujë, femrën nuk e lan as uji i detit’ vërtitet në mendje si një laraskë ogurzezë teksa azhornohesh me lajmet e ditës. Fatkeqësisht duhet t’i japësh të drejtë pranisë në fantazi të shpendit keqndjellës sepse nuk bën në kohë as të mbledhësh mendimet e t’i shkruash dhe ndërkaq një tjetër traumë e ngjashme ndodh diku jo shumë larg. Përpjekja për të dalë nga kjo mpirje, kërkon të kuptosh çfarë ndodh përreth, në këtë shoqëri me sjellje kaq infantile duke bërë sehir ndaj abuzimit, shantazhit, dhunës, vrasjes, asgjësimit, fajësimit, turpit të femrës. Duhet pranuar që tashmë ajo thënie jo e urtë është pjesë e subkoshiencës tonë shoqërore, që më së shumti harrojmë edhe që e mbartim.

Mendimet e njerëzve rreth këtyre ngjarjeve, me një nënzë unizon poshtë tyre, duket sikur ushtojnë: 'Shyqyr nuk më ka ndodhur mua! Uaa.... Po unë nuk jam e atillë! Fëmijën tim e di si e kam rritur! Nuk ka shans që të më ndodhi mua diçka e tillë'.

Një tjetër thënie por kësaj rradhe vërtetë e urtë thotë: 'Armiku në kodër, prite se e ke në votër!'. Duket sikur vjen nga mesjeta ky proverb dhe shpalos urtësinë e shoqërisë që atëherë me një qasje shumë më të përkorë se sa ç'është ky qëndrimi i shoqërisë së ditëve tona. Që atëherë duket se e kishin më të qartë identifikimin e së keqes dhe thirrja për t'u mbrojtur ishte për të gjithë. Sot nuk dihet se kush është armiku i kësaj shoqërie. Nuk është më ajo turma e kalorësve të zinj me armë zhveshur teksa zbresin nga maja e kodrës për të pushtuar. Fajësimi, turpi duket sikur kanë pushtuar vetëdijen shoqërore dhe e kanë marrë në pronësi. Shmangia duket të jetë e vetmja armë iluzionare, që me performancën e strucit me kokën poshtë rërës bën sikur ai nuk e ka me ne. 'O zot bëj që kjo të jetë ëndërr', vazhdon në qëndrimin e saj paranojak.

Në fakt është për ta patur zili edhe 'Harry Potter' magjistari, për nga fantazia dhe shkëputja nga realiteti, mjafton të mos thuash emrin e atij që nuk duhet përmendur, mjafton të mos thuhet kush e ka me të vertetë fajin, sepse është turp. Në cilën pjesë të botës një prind mendon që ajo çfarë i ndodhi shoqes së klasës, nuk do të mund t'i ndodhte as vetë fëmijës së tij? Më e pakta që vjen në mend është që ai prind do të vërtitet më kot në një iluzion kontrolli ndaj fëmijës së tij që domosdoshmërisht do të shndërrohet në obsesion nëse nuk është shndërruar tashmë në një të tillë. Po fëmija vetë? Do të ndrydhet nën një presion anormal me dëme të pashmangshme për zhvillimin e tij. Në fund për atë fëmijë, pengesa kryesore do të bëhet vetë prindi nga ku i mituri mund të shpërthejë në sjellje antisociale. Sa e sa implikime dhe pasoja mund të sjellë ky qëndrim.

Çfarë lloj shoqërie është kjo që fajëson viktimat dhe flirton me agresorët? Ngjan me të njëjtin mekanizëm pervers të viteve të krizës së piramidave të vitit jo shumë të largët '97. Atëherë kur mbizotëronte babëzia që pason zinë e bukës, motoja ishte 'të marr dhe të shumëfishoj sa më shumë të mundem! Këtu nuk ka më asnjë rregull ligjor! Unë jam me i/e mençuri/a se e zbulova i pari!'. Ndërsa sot mbizotëron paranoja, shmangia e vlerave me moton 'të rri në distancë higjenike nga kolera e fajit dhe turpit. Këtu nuk ka më asnjë rregull moral. Unë jam më puritani/ia i/e të gjithëve!' Në fakt morali e kërkon të turpërojë atë që ka faj dhe jo e kundërta.

Çfarë lloj shoqërie është kjo që peshën e fajit dhe të turpit ia ka dhënë Asaj, femrës, si atij fajtorit të gjykuar të fshatit që si dënim ka të mbajë gurin e turpit duke i ardhur kishës rrotull për 3 herë?

Kështu cikli i marrëzisë vazhdon. Pikërisht kur ato femra të traumatizuara që në atë gjendje shoku përpiqen të kuptojnë e të ftillohen se çfarë po ndodh brenda tyre, kjo shoqëri i godet sërish me paragjykime, indiferentizëm, duke i braktisur në fatin e tyre vetmitar, të damkosura, të stigmatizuara përjetë.

Si të mos mjaftonte nga ana tjetër rritet babëzia mashkullore për të sodomizuar, gllabëruar, asgjësuar trupin e femrës. Në këtë çmenduri nuk ka lehtësira për asnjë lloj femre, e martuar, e dashuruar, e zemëruar, laike apo fetare, e moshuar apo e re.

Trupi i saj shërben si kafshë kurbani për të shlyer mëkatet më të rënda, një Rozafë moderne në një shoqëri të çoroditur që nuk di më se ku i ka themelet e saj, nuk di si të ndërtojë apo të përmirësojë veten dhe shkon drejt vetëshkatërrimit. Aq destruktive po bëhet saqë po lejon të përçudnohet edhe ajo mosha pafajësisë, dlirësisë. Nëse ndonjëherë do të ekzistonte ndonjë gjë e shenjtë, kjo do të ishte.  Duket si një shigjetë në thembrën e Akilit të vetë shoqërisë dhe ajo vazhdon të mpihet në agoninë e traumës. Pastaj kjo shoqëri akoma nuk ka "numëruar" viktimat e '97, nuk di akoma ku i ka plagët e atyre traumave.

Si ndodh që e gjithë ana njerëzore më e errët është vendosur të shkarkohet mbi gjysmën e bashkësisë së saj, mbi atë femëroren? Trupi i saj duhet të mbajë turpin e perversitetit seksual, të epsheve më arkaike që dalin nga kontrolli, të agresivitetit dhe zemërimit që vjen nga errësira e jetës së vetë agresorit por edhe të kësaj shoqërie. Trupi dhe dinjiteti i saj duhet të mbajë edhe vdekjen dhe asgjësimin e saj. ‘Ajo më joshi! Ajo e ka fajin se më provokoi! Ajo më çoi në atë pikë, unë nuk desha!’

Jo vetëm kaq por duhet të mbajë edhe vetëvrasjen e agresorit të saj, në një akt në dukje tragjik shekspirian por që në të vërtetë mbetet një infantilizëm patetik si vello mbi absurdin e këtij fenomeni. E dhunuar fizikisht, psikologjikisht, shpirtërisht, shoqërisht, dekadentizmi i vlerave të kësaj shoqërie duket sikur ka prekur fundin dhe një shpresë iluzore menjëherë pason pa e kërkuar gjatë: në qoftë se ky është fundi i bie që ajo duhet të ringrihet. Kjo shoqëri duhet të rikërkojë vlerat e saj që të mos shkojë në vetëasgjësim.

Për Tiranapost.al, shënim nga Ermira Hila, një nga bashkëpunëtoret e blogut, 'Shendeti ynë i mendjes'./ Anëtare e këshillit të AGSH.

http://www.tiranapost.al/shoqeria-bashkefajtore-ne-krim/