Aktualitet

Ata që kanë më shumë se një punë do tatohen më shumë (Shembuj)

Ata që kanë më shumë se një punë do tatohen

Ata që punojnë në më shumë se një punë, do të paguajnë më shumë tatim mbi të ardhurat, pasi rrogat e tyre do të llogariten si një e vetme. Këta persona do të jenë të detyruar të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave në fillim të vitit pasardhës, edhe nëse nuk i kalojnë 2 milionë lekët në vit.

Sipas “Monitor”, p.sh, sot një individ, që mund të marrë paga në tre bordero, me nga 30 mijë lekë secila, nuk paguan asnjë lekë tatim mbi të ardhurat (deri në 30 mijë lekë, tatimi mbi të ardhurat është zero), ndonëse në total ai merr 90 mijë lekë.

Ky individ tashmë, kur të bëjë deklarimin e të ardhurave të vitit të mëparshëm, do të duhet të paguajë tatimi mbi të ardhurat, pasi duhet të llogarisë tatimin mbi pagën mbi totalin prej 90 mijë lekë (në bazë të së cilës duhet të paguajë 13% të shumës mbi 30 mijë lekë). Si rrjedhojë, në këtë rast, ky individ do të duhet të paguajë tatim mbi të ardhurat 93,600 lekë (7,800 lekë në muaj), në momentin që do të bëjë deklarimin e të ardhurave personale (sipas ligjit deklarimi i të ardhurave personale bëhet brenda datës 30 prill të vitit pasardhës).

Ose një individ që ka dy paga mujore nga 50 mijë lekë, aktualisht paguan në vit si tatim mbi të ardhurat 62,400 lekë në total (për të dy pagat, llogaritet vetëm 13% e shumës mbi 30 mijë lekë). Në fillim të vitit të ardhshëm të vitit, kur të bëhet deklarimi i të ardhurave dhe rillogaritja, ai do të duhet të paguajë shtesë në total edhe 46,800 lekë (pasi tatimi do të llogaritet mbi një pagë të vetme prej 100 mijë lekësh dhe do të rezultonte në total 109,200 lekë për gjithë vitin). Shuma e paguar do të rritet në këtë rast me 42%.

Në rast se individi ka dy paga që i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, tatimi që ata do të paguajnë do të jetë edhe më i lartë, pasi pjesa mbi 150 mijë lekë do të tatohet me 23%.

Tashmë kjo skemë po shtrihet tek të gjithë për të vendosur parimin e barazisë. Ndryshimi pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm./ Tiranapost.al